Politika 5 November 2026, 15:14 Nga VNA

Studentët sfidojnë qeverinë në Kushtetuese, kërkojnë pezullimin e 3 VKM-ve që kufizojnë protestat

Ndaje në Whatsapp
Studentët sfidojnë qeverinë në Kushtetuese,

Studentët protestues kanë çuar në Gjykatën Kushtetuese tre vendime të Këshillit të Ministrave, të cilat, sipas tyre, kufizojnë të drejtën e qytetarëve për t'u grumbulluar dhe për të protestuar. Përfaqësuesit e të rinjve kanë depozituar ankimet duke kërkuar jo vetëm shqyrtimin e tyre me përparësi, por edhe pezullimin e zbatimit të dispozitave të kundërshtuara deri në marrjen e një vendimi përfundimtar.

Në një komunikim për mediat, studentët deklaruan se tre aktet, megjithëse të ndryshme, përcjellin të njëjtin mesazh, ata që guxojnë të kundërshtojnë pushtetin duhet të kenë frikë nga pasojat. Sipas tyre, pavarësisht se qeveria e paraqet paketën si një mekanizëm për mbrojtjen e protestave paqësore dhe përgjegjësinë vetjake, në praktikë ajo rrezikon të ndëshkojë edhe qytetarët që nuk kanë ushtruar dhunë.

“Tre akte të ndryshme, me një mesazh të përbashkët, kush ngre zërin kundër pushtetit, duhet të ketë frikë nga pasojat. Qeveria thotë se me këtë paketë ‘protesta paqësore mbrohet’ dhe se ‘përgjegjësia është gjithnjë vetjake’, paketa ‘antidhunë’ ndëshkon edhe ata që nuk kanë ushtruar dhunë”, deklaroi një prej studentëve.

Një tjetër përfaqësuese e protestuesve theksoi se e drejta për të protestuar nuk mund të trajtohet si shkelje dhe se qytetarët që kundërshtojnë qeverinë nuk duhet të konsiderohen armiq. Ajo kërkoi që Gjykata Kushtetuese t'i japë përparësi shqyrtimit të ankimeve dhe të pezullojë zbatimin e dispozitave të kundërshtuara deri në vendimin përfundimtar.

Studentët sqaruan gjithashtu se ankimet nuk humbasin objektin edhe në rast se Kuvendi i miraton aktet normative, pasi i kanë kërkuar Kushtetueses të shtrijë kontrollin e saj edhe mbi ligjin miratues.
“Nuk duam të rritemi duke mësuar se të kundërshtosh pushtetin është faj dhe se pjesëmarrja në protestë është arsye për t'u trajtuar si armik”, u shpreh studentja, duke shtuar se një brez i tërë po përballet me një shtet që, në vend që t'u garantojë të rinjve hapësirë për debat, kundërshtim dhe pjesëmarrje demokratike, sipas tyre, po përgjigjet me dhunë dhe frikë.

Me këtë hap, përplasja mes studentëve dhe qeverisë për paketën e re të masave ndaj protestave zhvendoset edhe në Gjykatën Kushtetuese, ku pritet të shqyrtohet nëse dispozitat e kundërshtuara cenojnë të drejtat dhe liritë kushtetuese të qytetarëve.

Lexo gjithashtu

Video

🔴Policia largoi nga rruga studentët që protestonin para Ministrisë së Arsimit dhe shoqëroi disa të rinj për t’u gjobitur. Gjatë ndërhyrjes, efektivët shtynë gazetarët që po dokumentonin protestën.

111 vende për gjyqtarë: Plani i KLGJ-së për dosjet e prapambetura do të kushtonte 1,22 miliardë lekë në vit

Kryeministri Edi Rama është pritur me thirrje proteste nga një grup aktivistësh gjatë vizitës së tij në Bruksel. Ata kanë brohoritur “Rama në burg”, duke shprehur kundërshtimin ndaj kreut të qeverisë. Momenti është publikuar në një video, ku dëgjohen thirrjet e aktivistëve.

Letra nga qelia lexohet në GJKKO: Veliaj e quan transferimin “rrëmbim” dhe kërkon hetim për kërcënimet që ia atribuon Gogut

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme