Kulla Eifel në Paris është mbyllur për vizitorët për shkak të grevës kombëtare që ka përfshirë Francën, ndërsa sindikatat dhe organizatat studentore kanë organizuar protesta në të gjithë vendin për pagat, rritjen e kostos së jetesës dhe kushtet në arsim.
Lajmi është bërë i ditur përmes një njoftimi në faqen zyrtare të monumentit, ku thuhet se Kulla Eifel nuk do të presë vizitorë gjatë ditës së sotme për shkak të lëvizjes së grevës kombëtare. Personave që kanë blerë bileta në internet u është kërkuar të kontrollojnë postën elektronike për informacionet mbi biletat e tyre.
Protestat pritet të kenë pjesëmarrje të gjerë. Sipas parashikimeve, në demonstratat jashtë Parisit pritej të merrnin pjesë nga 500 mijë deri në 700 mijë persona, ndërsa në kryeqytetin francez pjesëmarrja vlerësohej nga 40 mijë deri në 80 mijë protestues.
Për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, Ministria e Brendshme franceze ka njoftuar angazhimin e 70 mijë efektivëve të policisë dhe xhandarmërisë në të gjithë vendin.
Lëvizja protestuese nisi në mesin e shtatorit me demonstratat e studentëve, por më pas u zgjerua, duke përfshirë sindikatat e punëtorëve dhe organizata të tjera. Në qendër të kundërshtimeve janë kërkesat për paga më të larta, përmirësimin e fuqisë blerëse dhe kushte më të mira në sistemin arsimor.






















