Bota 5 November 2026, 12:05 Nga VNA

“Ananasi mbi picë është fyerje për kulturën time”/ Kuzhinieri italian refuzon porosinë në Australi, pushohet nga puna dhe e çon çështjen në gjyq

Ndaje në Whatsapp

“Ananasi mbi picë është fyerje për kulturën

Një kuzhinier italian në Australi ka humbur vendin e punës pasi refuzoi të vendoste ananas mbi picë, duke e konsideruar këtë kombinim një fyerje për kulturën dhe traditën gastronomike të vendit të tij. Përplasja me drejtuesit e restorantit përfundoi me shkarkimin e tij dhe më pas me një betejë ligjore, të cilën e humbi për shkak të paraqitjes së vonuar të ankesës.

Davide Tamburella punonte si shef kuzhine në restorantin La Costa në Brisbane, kur menaxhmenti i kërkoi të përgatiste pica me proshutë dhe ananas për të ftuarit e një aktiviteti. Por italiani refuzoi kategorikisht.

Sipas tij, udhëzimet e drejtuesve nuk duhej të zbatoheshin kur ishin fyese për kulturën e tij.

Tamburella u pushua nga puna më 20 maj, dy javë pas një takimi me menaxhmentin, gjatë të cilit ishin ngritur disa ankesa për sjelljen e tij, përfshirë refuzimin për të përgatitur picën me ananas.

Historia doli në dritë pasi kuzhinieri iu drejtua Komisionit të Punës së Drejtë të Australisë, duke pretenduar se ishte pushuar padrejtësisht nga puna.

Në vendimin e publikuar më 3 nëntor, komisioni evidentoi se Tamburella kishte refuzuar të përdorte ananasin pikërisht sepse, si italian, e konsideronte këtë përbërës mbi picë një fyerje për kulturën e tij.

Madje, kjo nuk ishte hera e parë që kuzhinieri mbronte me kaq vendosmëri traditën italiane. Sipas dokumenteve të çështjes, ai kishte refuzuar tri herë gjatë katër viteve të fundit të përgatiste pica me ananas.

Në një rast, Tamburella i kishte kërkuar edhe shefit të tij të informohej se sa e rëndësishme ishte për italianët të mos vendosnin ananas mbi picë.

Drejtuesi i restorantit, Elliot Ingram, deklaroi se pas shkarkimit kishte më shumë arsye sesa thjesht një përbërës pice. Mes ankesave të tjera përmendeshin gjuha e papërshtatshme dhe sjellja e kuzhinierit në punë.

Komisioni e rrëzoi ankesën e Tamburellës sepse ishte paraqitur jashtë afatit ligjor, pa vendosur nëse shkarkimi ishte apo jo i drejtë.

Queensland, shteti australian ku ndodhej restoranti, konsiderohet qendra e prodhimit të ananasit në Australi. Aty ndodhet edhe monumenti turistik “Big Pineapple”, një ananas gjigant 16 metra i lartë.

Restoranti La Costa u mbyll në korrik, pas përfundimit të kontratës së qirasë.

Ndërkohë, Tamburella ka gjetur një vend të ri pune si shef kuzhine në një tjetër restorant italian në Brisbane.

Në menunë e restorantit të ri nuk ka picë me ananas.

Video

🔴Policia largoi nga rruga studentët që protestonin para Ministrisë së Arsimit dhe shoqëroi disa të rinj për t’u gjobitur. Gjatë ndërhyrjes, efektivët shtynë gazetarët që po dokumentonin protestën.

111 vende për gjyqtarë: Plani i KLGJ-së për dosjet e prapambetura do të kushtonte 1,22 miliardë lekë në vit

Kryeministri Edi Rama është pritur me thirrje proteste nga një grup aktivistësh gjatë vizitës së tij në Bruksel. Ata kanë brohoritur “Rama në burg”, duke shprehur kundërshtimin ndaj kreut të qeverisë. Momenti është publikuar në një video, ku dëgjohen thirrjet e aktivistëve.

Letra nga qelia lexohet në GJKKO: Veliaj e quan transferimin “rrëmbim” dhe kërkon hetim për kërcënimet që ia atribuon Gogut

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme