
Pasagjerët e Ryanair që udhëtojnë me bagazhe të regjistruara duhet të bëjnë kujdes me orarin e mbërritjes në aeroport. Nga 10 nëntori 2026, kompania ajrore do të zbatojë një rregull të ri që shkurton me 20 minuta afatin për dorëzimin e valixheve.
Sipas rregullores së re, sportelet e regjistrimit dhe dorëzimit të bagazheve do të mbyllen 60 minuta përpara nisjes së planifikuar të avionit, në vend të 40 minutave që zbatohen aktualisht.
Ndryshimi do të hyjë në fuqi në të gjitha aeroportet ku operon Ryanair dhe prek edhe pasagjerët që udhëtojnë nga Shqipëria drejt destinacioneve europiane. 
Për shembull, nëse fluturimi është planifikuar në orën 12:00, pasagjeri duhet ta ketë përfunduar dorëzimin e bagazhit përpara orës 11:00. Mbërritja në sportel pas këtij afati mund të bëjë që bagazhi të mos pranohet.
Sipas kushteve të transportit të kompanisë, pasagjerëve që nuk përfundojnë në kohë regjistrimin në aeroport mund t'u refuzohet hipja në avion pa rimbursim të biletës.
Ryanair argumenton se ndryshimi synon t'u japë udhëtarëve më shumë kohë për të kaluar kontrollet e sigurisë dhe ato të pasaportave, veçanërisht gjatë periudhave me fluks të lartë.
Rregulli prek rreth 20% të pasagjerëve që dorëzojnë bagazhe në aeroport. Ndërsa 80% e udhëtarëve që fluturojnë vetëm me bagazh dore nuk preken nga ndryshimi dhe mund të vazhdojnë regjistrimin online, sipas procedurës së zakonshme.
Vendimi ishte njoftuar fillimisht në prill, por kompania ka rikujtuar zbatimin e tij pak ditë përpara hyrjes në fuqi.
Për pasagjerët, mesazhi është i qartë: nga 10 nëntori, 20 minuta vonesë mund të kushtojnë një fluturim.
Burimi: Njoftimi zyrtar i Ryanair, 27 tetor 2026; The Independent, 2 nëntor 2026.






















