
Të tjera detaje dalin në dritë nga dosja penale e ish-shefes së Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni, dhe lidhja e saj me Ergys Agasin.
Në dosje thuhet, ndër të tjera, që Agasi mban kontakte me dy shtetas izraelitë, lidhja me të cilët po hetohet.
Në një nga komunikimet e zbuluara në celularin e Agasit, në momentin e arrestimit, Agasi i shkruan izraelitit Shalev I.: “E kam shoqe të ngushtë shefen e shërbimit sekret”.
Një tjetër mesazh dërguar shtetasit izraelit Srulik E.K.: “Jemi me fat që këtu e kanë kapur vetë amerikanët dhe e dinë sjelljen e tij dhe diçka tjetër, drejtoresha e shërbimit sekret do të takohet vetë me të dhe do t’i flasë për këtë punë, duke i sjellë prova që prokurori e ka bërë këtë për interesa të tjera”.
Ish-shefja e Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni, u la dje nga Apeli i Posaçëm në masën e arrestit në shtëpi. Ajo dyshohet nga SPAK për përkrahje të autorit të krimit, gjatë kohës kur Ergys Agasi ndodhej në arrati, si dhe nxjerrje të sekretit shtetëror.






















