
Një thertore e rikonstruktuar me para publike, por që nuk u vu asnjëherë në funksion, sot po ofrohet me qira nga Bashkia e Tropojës. Objekti në Shudenicë, për të cilin u shpenzuan rreth 12.7 milionë lekë pa TVSH, nuk arriti të marrë licencën për ushtrimin e aktivitetit, pasi nuk plotësonte kushtet. Tani Bashkia kërkon ta japë me qira për pesë vjet, me një vlerë fillestare prej 20,313 lekësh në muaj.


Por pikëpyetjet për këtë investim nisin që te tenderi. Në vitin 2022, Bashkia e Tropojës hapi procedurën për “Rikonstruksionin e thertores Shudenicë dhe ndërtimin e tregut të bagëtive”, me fond limit rreth 131 mijë euro. Në garë mori pjesë vetëm bashkimi i kompanive “Ouen” dhe “Trajler”, të cilët u shpallën fitues pa pasur asnjë konkurrent në garë.


“Trajler” është në pronësi të Anila Byberit, e raportuar si e afërme e kryetarit të Bashkisë, Rexhë Byberi. Kompania ka përfituar edhe kontrata të tjera publike gjatë drejtimit të tij. Kjo lidhje, e kombinuar me mungesën e ofertuesve të tjerë, ngre pikëpyetje mbi konkurrencën dhe mënyrën si u zhvillua procedura.
Parregullsi në tender ka konstatuar edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit në raportin e vitit 2025. Sipas KLSH, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave shpalli fitues një operator ekonomik që nuk plotësonte kriteret e kualifikimit të përcaktuara në dokumentet e tenderit. KLSH-ja ia atribuon këtë shkelje anëtarëve të komisionit, mes tyre M.K., dhe shënon se për të nuk ishte marrë masë disiplinore.
Raporti përmend gjithashtu një anëtare tjetër të komisionit, me inicialet A.M., për të njëjtën procedurë.


Sot, objekti që u rikonstruktua me fonde publike nuk po përdoret për qëllimin për të cilin u investua. Njoftimi i Bashkisë parashikon që thertorja të jepet me qira për pesë vjet, me ofertë fillestare mujore prej 20,313 lekësh. Për qiramarrësin e ardhshëm kërkohet edhe një investim prej të paktën 1 milion lekësh.
Pra për ta përmbledhur, miliona lekë të shpenzuara për një thertore që nuk nisi punë, një tender ku fituesi u shpall pa konkurrencë dhe shkoi për kompaninë e të afërmes së kryebashkiakut, si dhe një konstatim i KLSH-së për mosplotësim kriteresh. Tani objekti i rikthehet tregut si pasuri me qira.
Ky rast i shtohet denoncimeve të mëparshme të VNA-së për tenderat e Bashkisë së Tropojës dhe pikëpyetjeve që i shoqërojnë.






















