
Ish-deputetja Monika Kryemadhi është paraqitur këtë të enjte në Gjykatën e Posaçme, ku është parashikuar të zhvillohet seanca e radhës e gjykimit në themel ndaj saj dhe ish-presidentit Ilir Meta.
Në momentin e mbërritjes në ambientet e gjykatës, Kryemadhi nuk i ka kursyer batutat me gazetarët. E pyetur nga përfaqësuesit e medias, ajo është përgjigjur shkurt me fjalët: “Dielli shkëlqen”.
Procesi gjyqësor ndaj ish-çiftit është përballur me disa shtyrje gjatë javëve të fundit. Seanca e parashikuar për më 22 tetor nuk u zhvillua për shkak të bojkotit të avokatëve, ndërsa edhe ajo e caktuar për më 29 tetor u shty, duke bërë që palët të rikthehen në gjykatë këtë 5 nëntor.
SPAK ka ngritur ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit akuza për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë. Sipas organit të akuzës, ekzistojnë dyshime për përfitime të paligjshme dhe marrëdhënie korruptive të lidhura me marrëveshje të ndryshme dhe ushtrimin e funksioneve publike.
Tashmë pritet vijimi i shqyrtimit gjyqësor të dosjes, ndërsa akuzat e ngritura nga SPAK mbeten për t'u provuar gjatë procesit në gjykatë.






















