Politika 5 November 2026, 15:14 Nga VNA

BE, mesazh të fortë Ramës: Integrimi nuk bëhet vetëm me ligje në letër, dëgjoni qytetarët!

Ndaje në Whatsapp
BE, mesazh të fortë Ramës: Integrimi nuk bëhet vetëm me

Teksa fliste për kilometrin e fundit drejt integrimit europian, kryeministri Edi Rama bëri sikur nuk dëgjoi disa nga mesazhet më të rëndësishme që Bashkimi Europian përcolli në konferencën e përbashkët me ambasadoren Sofia Moreira de Sousa.

Kjo e fundit ishte e qartë në qëndrimin e saj: anëtarësimi në Bashkimin Europian nuk është thjesht një proces teknik, që përmbushet duke miratuar ligje në Parlament. Ai kërkon përfshirjen e gjithë shoqërisë, llogaridhënie nga qeveria dhe, mbi të gjitha, dëgjimin e shqetësimeve të qytetarëve që prej javësh kanë dalë në sheshe.

 “Anëtarësimi nuk është vetëm një detyrë teknike, nuk do të thotë vetëm të miratosh ligje, por i përket të gjithë shoqërisë shqiptare dhe në raport Komisioni ka shpjeguar mobilizimin më të madh qytetar që nga tranzicioni demokratik, ku qytetarët kërkojnë llogaridhënie dhe qeverisje të mirë. Këto shqetësime janë në thelb të procesit të anëtarësimit”, deklaroi ambasadorja e BE-së në Shqipëri.

Një mesazh që vjen në një moment kur në komisionet parlamentare po shqyrtohen me ritme të shpejta dhjetëra projektligje, ndërsa konsultimi me grupet e interesit dhe përfshirja e opozitës në proceset vendimmarrëse mbeten problematike.

Por kritikat e Bashkimit Europian nuk u ndalën këtu. Ambasadorja nënvizoi se raporti i Komisionit Europian evidenton një klimë thellësisht të polarizuar politike, mbikëqyrje të kufizuar parlamentare ndaj qeverisë dhe mungesë të konsultimeve publike kuptimplota.

Me fjalë të tjera, Brukseli i kujtoi qeverisë shqiptare se integrimi nuk matet vetëm me numrin e ligjeve të miratuara apo me kapitujt e negociatave të hapura, por edhe me cilësinë e demokracisë dhe mënyrën se si qeveriset vendi.

Por Edi Rama zgjodhi të përqendrohej te pjesa pozitive e raportit, duke e paraqitur atë si një tjetër dëshmi të suksesit të qeverisë në rrugën drejt anëtarësimit. Kritikat për funksionimin e institucioneve, mungesën e konsultimeve dhe shqetësimet e qytetarëve mbetën në hijen e retorikës së tij për objektivin historik të integrimit.

Madje, më shumë sesa mesazhet kritike të Brukselit, kryeministrin duket se e shqetësojnë thirrjet që vijnë nga bulevardi. Protestat dhe kërkesat për llogaridhënie, të cilat Rama përpiqet t'i relativizojë, janë pikërisht ato që Bashkimi Europian i konsideron pjesë të rëndësishme të procesit demokratik.

Ironia është se, ndërsa Rama flet për kilometrin e fundit drejt Europës, Brukseli i kujton se rruga drejt saj nuk kalon vetëm nga sallat e qeverisë dhe votimet në Parlament, por edhe nga sheshet ku qytetarët kërkojnë të dëgjohen.

Video

🔴Policia largoi nga rruga studentët që protestonin para Ministrisë së Arsimit dhe shoqëroi disa të rinj për t’u gjobitur. Gjatë ndërhyrjes, efektivët shtynë gazetarët që po dokumentonin protestën.

111 vende për gjyqtarë: Plani i KLGJ-së për dosjet e prapambetura do të kushtonte 1,22 miliardë lekë në vit

Kryeministri Edi Rama është pritur me thirrje proteste nga një grup aktivistësh gjatë vizitës së tij në Bruksel. Ata kanë brohoritur “Rama në burg”, duke shprehur kundërshtimin ndaj kreut të qeverisë. Momenti është publikuar në një video, ku dëgjohen thirrjet e aktivistëve.

Letra nga qelia lexohet në GJKKO: Veliaj e quan transferimin “rrëmbim” dhe kërkon hetim për kërcënimet që ia atribuon Gogut

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme