
Deputeti i Partisë Demokratike, Xhelal Mziu, ka shprehur gatishmërinë për t’u rikthyer në krye të Bashkisë së Kamzës, të cilën e ka drejtuar për 12 vite. Ai nuk e përjashton kandidimin në zgjedhjet vendore të 9 majit.
Në një intervistë në emisionin “Off the Record” të Andrea Dangllit në A2 CNN, Mziu deklaroi se është i gatshëm të kontribuojë në çdo pozicion, përfshirë edhe një kandidim të mundshëm për Bashkinë e Kamzës.
“Po punoj intensivisht në qarkun e Dibrës, në qarkun e Tiranës dhe në Kamëz, për t’ia shkurtuar një orë e më parë qëndrimin në qeveri këtij lloj kryeministri”, u shpreh deputeti demokrat.
Mziu theksoi se, pavarësisht mandatit si deputet dhe rolit si drejtues politik, mbetet i hapur për një rikthim në pushtetin vendor.
“Jam i gatshëm të kontribuoj kudo. Për Bashkinë e Kamzës mbetem i hapur për të kontribuar”, deklaroi ai.
Xhelal Mziu ka drejtuar Bashkinë e Kamzës për tre mandate radhazi. Ai u zgjodh për herë të parë kryebashkiak në vitin 2007 dhe qëndroi në këtë detyrë deri në vitin 2019.






















