Bota 5 November 2026, 16:13 Nga VNA

Çarje në aleancën e Netanyahut, partitë ultraortodokse i mohojnë mbështetjen në garën për qeverinë e re

Ndaje në Whatsapp
Çarje në aleancën e Netanyahut, partitë ultraortodokse i

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu po përballet me një dobësim të mbështetjes politike, pasi një prej partive kryesore hebraike ultraortodokse ka refuzuar ta rekomandojë atë për drejtimin e qeverisë së re. Vendimi i Judaizmit të Bashkuar të Torës, që ka shtatë vende në parlament, shënon një krisje të rëndësishme në aleancën politike që ka mbështetur Netanyahun për vite me radhë.

Vendimi u mor nga të dy fraksionet e partisë, Degel HaTorah dhe Agudat Yisrael, të cilat përfaqësojnë komunitete të ndryshme të hebrenjve ultraortodoksë. Sipas raportimit të Reuters, shkak i pakënaqësisë është edhe mosmiratimi i një ligji që do t'u garantonte studentëve të shkollave fetare hebraike përjashtimin nga shërbimi ushtarak. Përfaqësuesit e UTJ-së kanë bërë të ditur se mbështetja e tyre për çdo qeveri të ardhshme do të kushtëzohet nga ruajtja me ligj e këtij përjashtimi. 

Ndërkohë, në garën për formimin e qeverisë së re, avantazhin në rekomandimet parlamentare e ka siguruar rivali i Netanyahut, Gadi Eisenkot. Sipas të dhënave të publikuara gjatë konsultimeve me presidentin Isaac Herzog, Eisenkot ka marrë mbështetjen e 56 deputetëve, ndërsa Netanyahu atë të 46 deputetëve. 

Partitë ultraortodokse nuk e kanë përjashtuar mundësinë e mbështetjes së një qeverie të pakicës të drejtuar nga Eisenkot, pa qenë domosdoshmërisht pjesë e kabinetit. Megjithatë, një bashkëpunim i tillë mbetet i vështirë, pasi çështja e rekrutimit të hebrenjve ultraortodoksë në ushtri është një nga temat më të ndjeshme të politikës izraelite. Eisenkot dhe aleatët e tij kanë kërkuar ndryshimin e politikës së përjashtimeve nga shërbimi ushtarak, duke krijuar një përplasje të drejtpërdrejtë me kërkesat e UTJ-së. 

Presidenti Isaac Herzog po vijon konsultimet me përfaqësuesit e partive politike, pas zgjedhjeve parlamentare të 27 tetorit, në të cilat asnjëri prej dy blloqeve kryesore nuk siguroi shumicën e nevojshme. Herzog pritet të vendosë deri më 11 nëntor se kujt do t'i besojë mandatin për formimin e qeverisë së re. Zhvillimet e fundit kanë ndryshuar ndjeshëm raportet politike në Izrael dhe kanë vënë në vështirësi përpjekjen e Netanyahut për të qëndruar në pushtet. 

Video

🔴Policia largoi nga rruga studentët që protestonin para Ministrisë së Arsimit dhe shoqëroi disa të rinj për t’u gjobitur. Gjatë ndërhyrjes, efektivët shtynë gazetarët që po dokumentonin protestën.

111 vende për gjyqtarë: Plani i KLGJ-së për dosjet e prapambetura do të kushtonte 1,22 miliardë lekë në vit

Kryeministri Edi Rama është pritur me thirrje proteste nga një grup aktivistësh gjatë vizitës së tij në Bruksel. Ata kanë brohoritur “Rama në burg”, duke shprehur kundërshtimin ndaj kreut të qeverisë. Momenti është publikuar në një video, ku dëgjohen thirrjet e aktivistëve.

Letra nga qelia lexohet në GJKKO: Veliaj e quan transferimin “rrëmbim” dhe kërkon hetim për kërcënimet që ia atribuon Gogut

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme