Jorida Tabaku ka vendosur të marrë në mbrojtje lirinë e medias, duke kërkuar thirrjen e Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA) për raportim në Komisionin për të Drejtat e Njeriut dhe Median, të cilin ajo e drejton. Shkak janë gjobat e vendosura ndaj televizioneve dhe reagimi publik i gazetarit Blendi Fevziu, i cili ka kundërshtuar masat e institucionit.
Në një deklaratë me tone të forta politike, Tabaku akuzon kryeministrin Edi Rama se po përdor AMA-n për të kërcënuar dhe shantazhuar mediat që nuk ndjekin udhëzimet e tij.
“Kryeministrit po i rrëshqet toka nën këmbë. Sistemi që ka ngritur është aq i tronditur, sa po përdor çdo mjet represiv, çdo formë ndëshkimi dhe intimidimi ndaj kujtdo që i del kundër”, shkruan deputetja demokrate.
Sipas saj, AMA është kthyer në një instrument politik kundër zërave kritikë dhe për këtë arsye opozita ka firmosur kërkesën për ta thirrur institucionin në komision parlamentar.
Por në këtë histori ka disa fakte që meritojnë vëmendje.
Gjobat prej 100 mijë lekësh, sipas informacionit të bërë publik për këtë rast, nuk janë vendosur vetëm ndaj televizionit ku punon Fevziu, por ndaj të gjitha televizioneve të përfshira në masën administrative. Megjithatë, reagimi publik që ka marrë vëmendjen më të madhe ka qenë ai i gazetarit të njohur.
Për më tepër, ligji nr. 97/2013, “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, parashikon shprehimisht mekanizmin e ankimit ndaj vendimeve të AMA-s.
Sipas nenit 132, subjekti i ndëshkuar mund të paraqesë ankim pranë institucionit brenda 30 ditëve dhe më pas ta kundërshtojë vendimin në gjykatë.
Kjo është rruga ligjore që kanë në dispozicion televizionet, nëse mendojnë se janë gjobitur padrejtësisht.
Tabaku, e cila ka kundërshtuar vazhdimisht vendime dhe akte të institucioneve shtetërore përmes mekanizmave ligjorë, mund t’ia sugjerojë të njëjtën rrugë edhe Blendi Fevziut.
Sigurisht, Kuvendi ka të drejtë të kërkojë llogari nga AMA për ligjshmërinë, proporcionalitetin dhe transparencën e vendimeve të saj. Por kontrolli parlamentar nuk zëvendëson shqyrtimin ligjor të një gjobe konkrete.
Deputetja kërkon që AMA të përgjigjet se kush e drejton vendimmarrjen e saj dhe kujt i shërben, publikut apo pushtetit.
Përpara se çështja të shndërrohet në një tjetër betejë parlamentare për lirinë e medias, mbetet një pyetje shumë më e thjeshtë: A i ka ankimuar Blendi Fevziu, apo televizioni ku ai punon, gjobat sipas procedurës që parashikon ligji?
Sepse në Shqipëri, për të kundërshtuar një vendim administrativ, nuk është e domosdoshme të thërrasësh një institucion në Parlament. Ndonjëherë mjafton të ndjekësh ligjin.






















