
Kryeministri Edi Rama ka shmangur komentet për përplasjen me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, i cili nga burgu ka ngritur akuza ndaj kreut të qeverisë për presione dhe kërkesa të përcjella përmes ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu.
Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me ambasadoren e Bashkimit Europian, Sofia Moreira de Sousa, pas dorëzimit të Progres-raportit për Shqipërinë, Rama u pyet nga gazetarët për pretendimet e Veliajt, por zgjodhi të mos japë një përgjigje të drejtpërdrejtë.
“Janë si këto zhurmat e makinave që shkojnë dhe vijnë në Bulevard. Aq sa janë ato të rëndësishme për ne që jemi këtu, aq janë të rëndësishme për mua ato që pyetët ju”, deklaroi kryeministri.
Reagimi i Ramës vjen pas akuzave të bëra publike nga Veliaj, i cili pretendon se ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, i ka përcjellë tri kërkesa në emër të kryeministrit.
Sipas Veliajt, kërkesa e parë ishte që të pranonte përfshirjen në organizimin apo financimin e protestave të studentëve dhe lëvizjes “Flamingot”. Kërkesa e dytë, sipas tij, lidhej me delegimin e drejtimit të Bashkisë së Tiranës te Arbër Hajdari, ndërsa e treta me largimin e avokatit të tij, Plarent Ndreca.
Kryebashkiaku ka pretenduar gjithashtu se, në rast refuzimi, i është përcjellë mundësia e rëndimit të akuzave penale ndaj tij, përfshirë edhe atë për cenimin e rendit kushtetues, si dhe perspektiva e një dënimi të gjatë me burg.
Më 4 nëntor, përmes avokatit Plarent Ndreca, Veliaj publikoi disa faqe nga ditari i tij personal, ku kundërshtonte kërkesat që pretendon se i janë përcjellë. Ai mohoi çdo përfshirje në protestat kundër qeverisë dhe refuzoi delegimin e kompetencave të tij në krye të Bashkisë së Tiranës.
“Ma hodhe një herë, të të vijë turp, por herën e dytë, turp të më vijë mua”, shkruante Veliaj në një prej shënimeve të publikuara, duke kundërshtuar kërkesën e pretenduar për delegimin e drejtimit të bashkisë.
Veliaj ka deklaruar se nuk do t'u nënshtrohet presioneve apo shantazheve, ndërsa ka shprehur mbështetjen për avokatin Plarent Ndreca, duke përjashtuar mundësinë e largimit të tij nga mbrojtja ligjore.
Ndërkohë, avokati Ndreca ka bërë të ditur se kryebashkiaku është transferuar në ambientet spitalore të burgut të Fierit për shkak të një frakture në këmbë, duke ngritur shqetësime për vonesat në kryerjen e ekzaminimeve mjekësore.
Pretendimet e Veliajt për presion dhe ndërhyrje në procesin e tij ligjor mbeten akuza të pakonfirmuara në mënyrë të pavarur, ndërsa kryeministri Rama ka zgjedhur të mos i komentojë publikisht.






















