
Një rrjet ndërkombëtar në funksion të grupit kriminal që, sipas SPAK, drejtohej nga Ergys Agasi, mund të ndihmonte ish-drejtoreshën e Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni, të arratisej jashtë Shqipërisë, nëse nuk vendosej në arrest shtëpie.
Ky është argumenti që Prokuroria e Posaçme ka paraqitur para gjykatës kur kërkoi masën e sigurisë për ish-kreun e shërbimit sekret, pasi zbuloi disa komunikime të Agasit me dy shtetas izraelitë.
Në dosje, dy shtetasit e huaj identifikohen me pseudonimet “Shalev I.” dhe “Srulik E.K.”. Komunikimet e tyre, të ndërmjetësuara nga Ergys Agasi, përmenden në lidhje me çështje që kanë të bëjnë me Vlora Hysenin.
“Komunikimet e ndërmjetësuara nga Z. Ergys Agasi me shtetas të huaj (të identifikuar me pseudonimet ‘Shalev I.’ dhe ‘Srulik E.K.’), të cilët përmenden në lidhje me çështje që kanë të bëjnë me drejtuesen e shërbimit sekret, tregojnë arsyeshëm praninë e një rrjeti ndërkombëtar në funksion të interesave të grupit kriminal, rrjet ky që rrit shkallën konkrete të rrezikut se Znj. Hyseni, po të mbetej në gjendje të lirë, do të kishte akses të privilegjuar ndaj kanaleve të largimit apo të fshehjes që janë jashtë kontrollit efektiv të organeve proceduese”, thuhet në dosje.
Vlora Hyseni ndodhet në masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, e akuzuar për përkrahje të autorit të krimit dhe nxjerrje të sekretit shtetëror.






















