
Sali Berisha denoncon humbjen e 236 miliardë lekëve nga kursimet e shqiptarëve për shkak të zhvlerësimit të euros, por përjashton nga kritikat Bankën e Shqipërisë, institucionin që drejtohet nga guvernatori Gent Sejko dhe që ka një rol të drejtpërdrejtë në politikën monetare dhe ndërhyrjet në tregun valutor.
Në konferencën me gazetarët, kreu i Partisë Demokratike deklaroi se shqiptarët kanë humbur rreth 30 për qind të vlerës së kursimeve të tyre për shkak të rënies së euros kundrejt lekut.
Berisha ia atribuoi këtë situatë hyrjes masive të eurove të paligjshme në Shqipëri, duke akuzuar qeverinë për lidhje me trafikantët dhe për ndikimin që, sipas tij, paratë e krimit kanë mbi ekonominë.
“Unë do t’u njoh ju sot me të dhënat e pasojave katastrofike të narkoeurove që trafikantët e lidhur me qeverinë sjellin në Shqipëri me vagona, me kontejnerë, me avionë, me mikrobusë dhe mjete të tjera”, deklaroi Berisha.
Sipas tij, në vitin 2020 qytetarët shqiptarë kishin të depozituara 965 milionë euro, ndërsa në vitin 2025 depozitat kishin arritur në 2 miliardë euro. Në të njëjtën periudhë, kursi i këmbimit kishte zbritur nga 123.7 lekë në 96.7 lekë për euro.
“Kursimet në euro nga viti 2020 deri në vitin 2025 janë zhvlerësuar 236 miliardë lekë”, deklaroi Berisha, duke pretenduar se qindra mijëra shqiptarë kanë humbur rreth 30 për qind të kursimeve të tyre.
Por ndërsa denoncoi pasojat e zhvlerësimit të euros, kreu i opozitës i doli në mbrojtje Bankës së Shqipërisë.
“Banka e Shqipërisë, me të drejtë, jo në mënyrë të gabuar, detyrohet për të mbrojtur euron”, tha Berisha, duke iu referuar sasive të mëdha të valutës që, sipas tij, hyjnë në Shqipëri përmes kontejnerëve, kamionëve dhe avionëve.
Në këtë mënyrë, Berisha ia faturoi përgjegjësinë për rënien e euros qeverisë dhe parave të krimit, ndërsa amnistoi nga kritikat Bankën e Shqipërisë dhe guvernatorin Gent Sejko, pavarësisht rolit të institucionit në politikën monetare dhe tregun valutor.
Qëndrimi i Berishës vjen në një moment kur Kuvendi ka miratuar edhe ndryshimet ligjore që i japin guvernatorit të Bankës së Shqipërisë mbrojtje të posaçme procedurale nga masat penale për veprimet që lidhen me ushtrimin e detyrës.
Ligji u miratua më 29 tetor me votat e mazhorancës socialiste, ndërsa opozita, ndonëse nuk votoi pro, nuk arriti të pengonte miratimin e dispozitës së kontestuar. Roli i saj mbeti pasiv në raport me këtë ndryshim ligjor, i cili forcon mbrojtjen procedurale të guvernatorit.
Kështu, ndërsa mazhoranca i siguroi Gent Sejkos një mbrojtje të re ligjore, Berisha, në denoncimin e tij për zhvlerësimin e euros, e la Bankën e Shqipërisë jashtë përgjegjësisë që kërkon për pasojat mbi kursimet e qytetarëve.






















