Partia Socialiste ka depozituar në Kuvend një ndryshim ligjor i cili do të mundësojë financim nga shtetit edhe të ungjillorëve.
Projektligji, siç thotë nismëtari, synon të korrigjojë një ngërç burokratik që i ka lënë pa mbështetje financiare institucionale përfaqësuesit e këtij komuniteti.
Në relacionin shpjegues të nismës, deputeti propozues Taulant Balla thekson se kjo ndërhyrje vjen si një detyrim për të përditësuar legjislacionin dhe për t'i dhënë fund një padrejtësie kohore. Ai argumenton se Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë i plotëson të gjitha kriteret ligjore:
"Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë si Bashkësi Fetare ka nënshkruar një marrëveshje me Këshillin e Ministrave 'Për rregullimin e marrëdhënieve të ndërsjellta', marrëveshje e cila është ratifikuar me ligj nga parlamenti dhe konkretisht me Ligjin nr. 10394 datë 10.03.2011 'Për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave dhe Bashkësisë Fetare Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë'."
Sipas relacionit, megjithëse marrëveshja u ratifikua në vitin 2011, ky komunitet nuk ka mundur të përfitojë fondet e parashikuara nga buxheti i shtetit për shkak të një moskoordinimi të mëparshëm ligjor. Taulant Balla thekson në dokument:
"Megjithë sa më sipër Bashkësia Fetare 'Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë' nuk ka mundur të marrë asnjë financim nga buxheti i shtetit për të vetmen arësye se emri i kësaj bashkësie fetare nuk është shënuar në nenin 1 pika 1 e ligjit Nr.10140, datë 15.5.2009..., çka duhet të ishte pasqyruar menjëherë pas miratimit të Ligjit nr.10394 datë 10.03.2011..., por që nuk ka ndodhur."
Nisma vlerësohet se është plotësisht në përputhje me parimet e kushtetutshmërisë, sigurisë juridike dhe barazisë, duke synuar:
"...ligjërimin dhe krijimin e mundësisë së aplikimit të të drejtave të njohura me ligj të një bashkësie fetare që ka marrëveshje me Këshillin e Ministrave të Republikës së Shqipërisë, të drejta të cilat deri tani nuk janë realizuar për shkak të nevojës për miratim të këtij projektligji."
Me miratimin e këtij projektligji, krahas katër bashkësive tradicionale (Komuniteti Mysliman, Kisha Ortodokse Autoqefale, Kisha Katolike dhe Kryegjyshata Botërore Bektashiane), në nenin përkatës do të shtohet zyrtarisht edhe Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë.
*Fondet e Buxhetit të Shtetit për Komunitetet Fetare për vitin 2026*
Për sa i përket mbështetjes financiare, përmes një Vendimi të Këshillit të Ministrave (VKM) për buxhetin e vitit 2026, qeveria ka ndarë një fond total prej 2,2 milionë euro për mbështetjen e bashkësive fetare që kanë nënshkruar marrëveshje.
Ky fond është ndarë ndërmjet komuniteteve fetare si më poshtë:
* Komuniteti Mysliman i Shqipërisë: Përfitoi shumën rreth 630 mijë euro.
* Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë: Përfitoi shumën rreth 535 mijë euro.
* Kisha Katolike në Shqipëri 534 mijë euro.
* Kryegjyshata Botërore Bektashiane përfitoi shumën rreth 534 mijë euro.






















