Politika 6 November 2026, 11:19 Nga VNA

Celibashi letër Ervin Demos: Pajisni romët dhe egjiptianët me ID, gjeni zgjidhje se nuk kanë para, duhet të votojnë

Ndaje në Whatsapp
Celibashi letër Ervin Demos: Pajisni romët dhe egjiptianët me ID,

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, i është drejtuar me një kërkesë zyrtare Ministrit të Punëve të Brendshme, Ervin Demo, dhe shoqërisë “IdentiTek” sh.a., për të gjetur një zgjidhje që qytetarët e komuniteteve rome dhe egjiptiane, të cilët ndodhen në vështirësi ekonomike, të pajisen me dokumente të vlefshme identifikimi.

Në shkresën e datës 3 nëntor të siguruar nga VNA, Celibashi propozon nisjen e një komunikimi të vazhdueshëm institucional mes tre palëve, me qëllim që mungesa e dokumenteve të identifikimit dhe pamundësia financiare për t'i siguruar ato të mos kthehen në pengesë për pjesëmarrjen në zgjedhje.

KQZ evidenton se “mungesa e dokumenteve të vlefshme të identifikimit, e shoqëruar me pamundësinë ekonomike për t’u pajisur me to, mund të përbëjë një pengesë reale për pjesëmarrjen në zgjedhje” për disa kategori qytetarësh, veçanërisht për pjesëtarët e komuniteteve rome dhe egjiptiane që jetojnë në kushte të vështira ekonomike.

Për këtë arsye, Celibashi kërkon që institucionet të bashkëpunojnë për të evidentuar përmasat e problematikës, për të shkëmbyer informacion dhe për të shqyrtuar mundësitë e marrjes së masave konkrete që do të lehtësonin pajisjen e këtyre qytetarëve me karta identiteti apo dokumente të tjera të vlefshme.

Në shkresë theksohet se nisma mbështetet edhe në rekomandimet e Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të OSBE/ODIHR-it, të cilat inkurajojnë marrjen e masave praktike për lehtësimin e aksesit të grupeve në nevojë në dokumentet e identifikimit dhe pjesëmarrjen e tyre në proceset zgjedhore.

“KQZ shpreh gatishmërinë për të kontribuar, brenda kompetencave të tij ligjore, në identifikimin e kategorive përfituese, koordinimin ndërinstitucional dhe informimin publik”, thuhet në shkresë.

Në përfundim, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve kërkon nga Ministria e Brendshme dhe IdentiTek shqyrtimin e propozimit dhe, në rast dakordësie, caktimin e personave të kontaktit për vijimin e komunikimit dhe diskutimeve teknike.

Megjithatë, në shkresë nuk përcaktohet ende një skemë konkrete financimi apo një vendim për pajisjen falas të këtyre qytetarëve me dokumente identifikimi. KQZ kërkon fillimisht bashkërendimin institucional për të gjetur një zgjidhje për këtë problematikë.

Lexo gjithashtu

Video

🔴Policia largoi nga rruga studentët që protestonin para Ministrisë së Arsimit dhe shoqëroi disa të rinj për t’u gjobitur. Gjatë ndërhyrjes, efektivët shtynë gazetarët që po dokumentonin protestën.

111 vende për gjyqtarë: Plani i KLGJ-së për dosjet e prapambetura do të kushtonte 1,22 miliardë lekë në vit

Kryeministri Edi Rama është pritur me thirrje proteste nga një grup aktivistësh gjatë vizitës së tij në Bruksel. Ata kanë brohoritur “Rama në burg”, duke shprehur kundërshtimin ndaj kreut të qeverisë. Momenti është publikuar në një video, ku dëgjohen thirrjet e aktivistëve.

Letra nga qelia lexohet në GJKKO: Veliaj e quan transferimin “rrëmbim” dhe kërkon hetim për kërcënimet që ia atribuon Gogut

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme