Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen ndaj shtetasit italian Giovani Telesco, administrator i shoqërisë “Euro Beton 2005” sh.p.k. Ai akuzohet për mashtrim, fshehje të të ardhurave dhe pastrim parash. Në kuadër të çështjes, mbi pasuritë e shoqërisë, me vlerë 10 milionë euro, është vendosur masa e sekuestros preventive.
Sipas Prokurorisë, Giovani Telesco dyshohet se ka marrë lëndë të para nga disa furnitorë nëpërmjet kompanisë, duke u premtuar pagesa ose apartamente. Më pas, ai dyshohet se ka mohuar marrjen e furnizimeve dhe detyrimet ndaj furnitorëve.
Lëndët e para, sipas hetuesve, janë përdorur për prodhimin e betonit, i cili më pas është shitur. Prokuroria dyshon se furnizimet e pafiskalizuara dhe shitja e betonit janë përdorur për të fshehur të ardhurat dhe për të pastruar përfitimet e dyshuara si të paligjshme.
Pasuritë e sekuestruara
Tokë arë me sipërfaqe 560 m²
Pallat me sipërfaqe 2 780 m² dhe 914 m² ndërtim
Tokë arë me sipërfaqe 1 580 m²
Tokë arë me sipërfaqe 310 m²
Njësi me sipërfaqe 71,5 m²
Tokë arë me sipërfaqe 63 m², në bashkëpronësi të shoqërisë “Euro Beton 2005”
Njësi me sipërfaqe 61,6 m², vëllimi 30, faqja 52, zona kadastrale 8160
Njësi me sipërfaqe 138,84 m², vëllimi 19, faqja 235, zona kadastrale 8180
Nën sekuestro janë vendosur edhe 25 mjete në pronësi të shoqërisë, përfshirë betoniera, pompa betoni dhe mjete transporti.






















