Kronika 6 November 2026, 11:13 Nga VNA

Mbi 500 emigrantë nga Shqipëria drejt Greqisë, goditet rrjeti i trafikut. Mes 10 të arrestuarve një shqiptare

Ndaje në Whatsapp
Mbi 500 emigrantë nga Shqipëria drejt Greqisë, goditet rrjeti i

Policia greke, në bashkëpunim me Europolin, ka goditur një rrjet që dyshohet se organizoi kalimin e paligjshëm të mbi 500 emigrantëve nga Shqipëria drejt Greqisë. Në operacionin e zhvilluar në Selanik dhe në rajonin kufitar të Thesprotisë u arrestuan 10 persona, mes tyre një shqiptare 33-vjeçare, shtatë shtetas grekë dhe dy sirianë.

Sipas policisë greke, rrjeti vepronte të paktën që prej qershorit 2025 dhe kishte organizuar 41 kalime të paligjshme të kufirit. Emigrantët, kryesisht nga Nepali, Jemeni dhe Kina, kalonin në këmbë nëpër shtigje malore, siç tregojnë pamjet e regjistruara nga dronët e policisë.

Pasi kalonin kufirin, anëtarët e rrjetit i strehonin përkohësisht në banesa ose në çadra të improvizuara në Thesproti, ku u shisnin ushqime, ujë dhe karta telefoni me çmime të larta. Më pas i transportonin drejt Athinës, Patrës dhe zonave bujqësore të Peloponezit, ku shumë prej tyre përfundonin duke punuar pa dokumente të rregullta dhe pa sigurime.

Në disa raste, sipas hetuesve, anëtarët e rrjetit u mbanin emigrantëve pasaportat derisa këta të shlyenin me punë borxhin për transportin. Policia përllogarit se rrjeti përfitoi të paktën 750 mijë euro.

Gjatë operacionit u arrestuan gjithashtu 21 emigrantë pa dokumente të rregullta qëndrimi. Policia sekuestroi automjete, telefona, para dhe pasaporta. Hetimet vijojnë për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë në rrjet.

Lexo gjithashtu

Video

🔴Policia largoi nga rruga studentët që protestonin para Ministrisë së Arsimit dhe shoqëroi disa të rinj për t’u gjobitur. Gjatë ndërhyrjes, efektivët shtynë gazetarët që po dokumentonin protestën.

111 vende për gjyqtarë: Plani i KLGJ-së për dosjet e prapambetura do të kushtonte 1,22 miliardë lekë në vit

Kryeministri Edi Rama është pritur me thirrje proteste nga një grup aktivistësh gjatë vizitës së tij në Bruksel. Ata kanë brohoritur “Rama në burg”, duke shprehur kundërshtimin ndaj kreut të qeverisë. Momenti është publikuar në një video, ku dëgjohen thirrjet e aktivistëve.

Letra nga qelia lexohet në GJKKO: Veliaj e quan transferimin “rrëmbim” dhe kërkon hetim për kërcënimet që ia atribuon Gogut

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme