Kronika 6 November 2026, 12:42 Nga VNA

Gjashtë punonjës të OSHEE-së humbën jetën në krye të detyrës në dy vite, viktima e fundit në Selenicë. Kush përgjigjet për sigurinë e elektricistëve?

Ndaje në Whatsapp

Gjashtë punonjës të OSHEE-së humbën jetën në

Gjashtë punonjës të OSHEE-së kanë humbur jetën gjatë kryerjes së detyrës në dy vitet e fundit, sipas rasteve të identifikuara nga raportimet mediatike. Viktima e fundit është një elektricist rreth 50 vjeç, i cili humbi jetën këtë të premte në fshatin Kocul të Selenicës, pasi dyshohet se ra në kontakt me rrymën elektrike.

Sipas njoftimit paraprak të Policisë, rreth orës 10:45, shtetasi A. P., punonjës i OSHEE-së, ndodhej duke punuar në nënstacionin elektrik kur dyshohet se u godit nga energjia elektrike. Për pasojë, ai humbi jetën.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.

Por tragjedia në Selenicë nuk është një rast i izoluar. Të paktën pesë punonjës të tjerë të OSHEE-së kanë humbur jetën gjatë punës që prej prillit 2025.

14 prill 2025, Divjakë – Xhuljo Shtëmbari, 33 vjeç

Elektricisti humbi jetën gjatë riparimit të linjës së tensionit të mesëm Mërtish–Gradishtë. Sipas raportimeve, atij i ishte komunikuar se energjia elektrike ishte ndërprerë, por linja rezultoi ende nën tension.

Pas aksidentit, u arrestuan dy elektricistë, njëri i OST-së dhe tjetri i OSHEE-së, të dyshuar për shkelje të rregullave të sigurisë në punë.

8 maj 2025, Mirditë – Emiljano Bunga, 37 vjeç

Punonjësi i OSHEE-së humbi jetën në Kodër Rrëshen gjatë punimeve për furnizimin me energji elektrike të një qendre votimi, në prag të zgjedhjeve të 11 majit. Gjatë aksidentit u plagosën edhe dy elektricistë të tjerë, të moshave 60 dhe 58 vjeç.

19 shkurt 2026, Lezhë – Mark Prenga, 27 vjeç

Elektricisti humbi jetën në fshatin Rrilë, gjatë riparimit të një defekti në rrjetin elektrik. Sipas raportimeve, dyshohej se linja e tensionit të lartë prej 10 mijë voltësh nuk ishte stakuar.

Policia shoqëroi katër punonjës për t’u marrë në pyetje, përfshirë punonjës të OSHEE-së dhe përgjegjësin teknik. Hetimet u përqendruan te respektimi i protokolleve të sigurisë dhe ndërprerja e energjisë.

22 korrik 2026, Himarë – Bashkim Boçi, 54 vjeç

Punonjësi sezonal i OSHEE-së humbi jetën gjatë përpjekjeve për rikthimin e energjisë elektrike pas motit të keq në zonën e Potamit.

Sipas raportimeve, elektricisti ishte ngjitur në një shtyllë elektrike kur dyshohet se iu shkëput rripi i sigurisë dhe ra nga një lartësi prej rreth nëntë metrash. Shkaku përfundimtar i vdekjes nuk ishte përcaktuar në njoftimet fillestare.

12 shtator 2026, Belsh – Klajdi Zekthi, 32 vjeç

Elektricisti i OSHEE-së humbi jetën në fshatin Trojas, teksa po riparonte një linjë elektrike. Sipas Policisë, ai dyshohet se ra në kontakt me rrymën elektrike rreth orës 09:30.

Prokuroria nisi hetimet për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.

6 nëntor 2026, Selenicë – A. P., rreth 50 vjeç

Punonjësi i OSHEE-së humbi jetën në fshatin Kocul, gjatë punës në nënstacionin elektrik. Dyshimet paraprake lidhen me kontaktin me energjinë elektrike.

Gjashtë jetë të humbura, një pyetje për OSHEE-në

Në disa prej këtyre aksidenteve janë ngritur dyshime për mosndërprerjen e energjisë elektrike, probleme në koordinimin e punimeve apo respektimin e masave të sigurisë.

Gjashtë viktimat përbëjnë bilancin minimal të rasteve të identifikuara në raportimet publike, jo një statistikë zyrtare përfundimtare të aksidenteve fatale në OSHEE.

Sa kontrolle ka kryer Inspektorati i Punës? Sa shkelje janë konstatuar? Çfarë masash ka marrë OSHEE pas aksidenteve të mëparshme dhe sa prej tyre kanë përfunduar me përgjegjësi konkrete?

Ndërsa hetimet për vdekjen e elektricistit në Selenicë sapo kanë nisur, mbetet ende pa një përgjigje publike të plotë pyetja se çfarë është bërë për të parandaluar përsëritjen e tragjedive në rrjetin elektrik.

Video

🔴Policia largoi nga rruga studentët që protestonin para Ministrisë së Arsimit dhe shoqëroi disa të rinj për t’u gjobitur. Gjatë ndërhyrjes, efektivët shtynë gazetarët që po dokumentonin protestën.

111 vende për gjyqtarë: Plani i KLGJ-së për dosjet e prapambetura do të kushtonte 1,22 miliardë lekë në vit

Kryeministri Edi Rama është pritur me thirrje proteste nga një grup aktivistësh gjatë vizitës së tij në Bruksel. Ata kanë brohoritur “Rama në burg”, duke shprehur kundërshtimin ndaj kreut të qeverisë. Momenti është publikuar në një video, ku dëgjohen thirrjet e aktivistëve.

Letra nga qelia lexohet në GJKKO: Veliaj e quan transferimin “rrëmbim” dhe kërkon hetim për kërcënimet që ia atribuon Gogut

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme