Kronika 6 November 2026, 14:42 Nga VNA

I kërkuar nga SPAK, në vilën që ruhej nga Garda e Republikës/ Zbardhen lëvizjet e Ergys Agasit gjatë arratisë

Ndaje në Whatsapp

I kërkuar nga SPAK, në vilën që ruhej nga Garda e

Ergys Agasi zotëron një vilë në zonën e Vilave Qeveritare në Durrës, e cila ruhet nga Garda e Republikës. Këtë vilë, ai e ka frekuentuar edhe gjatë kohës kur ishte shpallur në kërkim nga SPAK, duke u kthyer në një nga personat më të kërkuar nga drejtësia.

Detajet dalin nga dosja hetimore, ku zbardhet edhe roli i Embro Sulejmanit, kamarierit që dyshohet se ka ndihmuar Agasin gjatë kohës që ishte në arrati.

Sipas SPAK, Sulejmani nuk është kufizuar në një ndihmë rastësore, por ka pasur një rol aktiv dhe të organizuar në lëvizjet e Agasit, madje duke kontrolluar edhe hyrjet dhe daljet në zonën e Vilave Qeveritare.

“Nga përmbajtja e mesazheve të datave 24 – 26.08.2026 rezulton se Embro Sulejmani i ka shërbyer Ergys Agasit për lëvizjen e tij me mjet në qytetin e Durrësit, gjatë kohës që ishte i shpallur në kërkim, duke koordinuar me të vendndodhjen, orarin dhe mënyrën e lëvizjes, si dhe duke kontrolluar hyrje-daljet në zonën e Vilave Qeveritare në Durrës, ku Z. Ergys Agasi zotëron një vilë të ruajtur nga Garda e Republikës”, thuhet në dosje.

Këto veprime, sipas SPAK, tregojnë një rol aktiv, të organizuar dhe të vazhdueshëm të Sulejmanit për t’i dhënë mbështetje dhe ndihmë Agasit, dhe jo një moment të shkëputur apo rastësor.

Hetuesit i referohen edhe një bisede të përgjuar më 26 gusht 2026, në orën 21:26, vetëm disa orë pas arrestimit të Ergys Agasit. Në këtë komunikim, Sulejmani, sipas SPAK, pranon në mënyrë të tërthortë se e kishte transportuar Agasin me automjet gjatë kohës që ishte në kërkim, duke shprehur lehtësim që nuk ishte kapur bashkë me të.

Dosja tregon se Agasi dhe Sulejmani kanë pasur komunikime të drejtpërdrejta dhe se kamarieri ishte në shërbim të tij për ta ndihmuar gjatë lëvizjeve.

Nga këqyrja e telefonit ka rezultuar se Sulejmani kishte edhe çelësin e një ambienti ku qëndronte Agasi.

“Agasi i ka kërkuar që t’ia hapë dhe t’i çojë çelësin, ndërsa do nisej nga Laçi. Nga komunikimet duket se Agasi priste që të shkonte edhe dikush tjetër në të njëjtin ambient, pasi shfaq shqetësimin që ai ‘robi’. Agasi i kërkon Sulejmanit që të nxitojë dhe përdor shprehjen ‘jepi gaz siç i bie me mua’, ‘se ke trafik’, ‘hap derën e ik’”, thuhet në dosje.

Më vonë, Agasi i shkruan sërish Sulejmanit dhe i kërkon të shkonte të merrte çelësin.

Në një tjetër komunikim, kamarieri i drejtohet Agasit me pyetjen: “Kapo, duhet gjë?”

Embro Sulejmani është liruar nga burgu dhe aktualisht ndodhet nën masat e sigurisë “ndalim për të dalë jashtë vendit” dhe “detyrim për paraqitje”, për shkak të rrethanave familjare, pasi ka bashkëshorten shtatzënë dhe prindërit e sëmurë.

Në të njëjtën çështje, për lidhjet me Ergys Agasin, ndodhet në arrest shtëpie ish-shefja e SHISH, Vlora Hyseni, ndërsa në burg është Fation Kalluçi, ish-shef i laboratorit kriminalistik.

Bashkë me Agasin, në momentin e arrestimit, është kapur edhe Ulian Shpataraku, ish-zyrtar i lartë i Policisë.

Dosja e SPAK nxjerr kështu në pah lëvizjet e Agasit gjatë kohës që kërkohej nga drejtësia, ndihmën që dyshohet se merrte nga Sulejmani dhe faktin se ai frekuentonte një vilë në zonën e Vilave Qeveritare të Durrësit, të ruajtur nga Garda e Republikës.

Video

🔴Policia largoi nga rruga studentët që protestonin para Ministrisë së Arsimit dhe shoqëroi disa të rinj për t’u gjobitur. Gjatë ndërhyrjes, efektivët shtynë gazetarët që po dokumentonin protestën.

111 vende për gjyqtarë: Plani i KLGJ-së për dosjet e prapambetura do të kushtonte 1,22 miliardë lekë në vit

Kryeministri Edi Rama është pritur me thirrje proteste nga një grup aktivistësh gjatë vizitës së tij në Bruksel. Ata kanë brohoritur “Rama në burg”, duke shprehur kundërshtimin ndaj kreut të qeverisë. Momenti është publikuar në një video, ku dëgjohen thirrjet e aktivistëve.

Letra nga qelia lexohet në GJKKO: Veliaj e quan transferimin “rrëmbim” dhe kërkon hetim për kërcënimet që ia atribuon Gogut

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme