Gjykata e Lartë nuk do të ulet në tryezën e thirrur nga kryeministri Edi Rama më 28 shtator për të diskutuar skemën e pagave të magjistratëve.
Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, i ka kthyer përgjigje Kryeministrisë më 26 shtator, duke argumentuar se pas ftesës fillestare të Ramës ka ndodhur një zhvillim institucional që ndryshon situatën: ligji i ri për pagat tashmë është dërguar për kontroll në Gjykatën Kushtetuese.
Në këto kushte, sipas Sadushit, diskutimi për të njëjtën çështje në një tryezë tjetër nuk do të prodhonte asgjë të re.
“Për një çështje kushtetuese tashmë të shtruar për gjykim, fjala i përket Gjykatës Kushtetuese”, është qëndrimi që kreu i Gjykatës së Lartë i përcjell Kryeministrisë.
Sadushi argumenton se dialogu për këtë objekt mund të bëhet substancial dhe efektiv vetëm pasi Gjykata Kushtetuese të jetë shprehur.
Në përgjigjen e tij, kreu i Gjykatës së Lartë nënvizon gjithashtu se pjesëmarrja në një tryezë për të njëjtën çështje, vetëm për të përsëritur qëndrimin që institucioni ka bërë tashmë publik, nuk do t’i shtonte dialogut përmbajtje të re.
Qëndrimi është në vijim të deklaratës që Sadushi dha në Mbledhjen e Përgjithshme të Gjyqtarëve, ku argumentoi se mosmarrëveshja për ligjin e pagave tashmë ka kaluar në një proces kushtetues dhe se themeli juridik i saj nuk mund të negociohet paralelisht në një tryezë tjetër.
Megjithatë, Gjykata e Lartë nuk e mbyll derën e dialogut me ekzekutivin.
Përkundrazi, Sadushi shprehet i gatshëm për një tryezë tjetër, me një objekt më të gjerë, që të trajtojë funksionimin dhe konsolidimin e sistemit të drejtësisë dhe problemet që ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë dhe kohën e dhënies së drejtësisë.
“Është një dialog i nevojshëm dhe tashmë i vonuar”, është mesazhi i kreut të Gjykatës së Lartë, i cili kërkon që një diskutim i tillë ndërmjet pushteteve të ketë qytetarin në qendër.
Refuzimi për të marrë pjesë në tryezën e 28 shtatorit vjen në kulmin e përplasjes mes qeverisë dhe magjistratëve për formulën e pagave.
Pas miratimit nga Kuvendi të formulës së re, çështja është dërguar në Gjykatën Kushtetuese, ku do të shqyrtohet përputhshmëria e saj me standardet kushtetuese.
Kështu, përgjigjja e Sadushit ndaj ftesës së Ramës vendos një kufi të qartë institucional: dialogu mes pushteteve mund të vazhdojë, por për ligjin e pagave që tashmë ndodhet për gjykim, Gjykata e Lartë thotë se radha për të folur i takon Gjykatës Kushtetuese.






















