
Pas gati tre vitesh pa një ambasador të konfirmuar në Tiranë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të kenë sërish drejtuesin zyrtar të misionit të tyre diplomatik në Shqipëri. Eric Wendt nis këtë të shtunë detyrën si ambasador i SHBA-së, duke pasuar Yuri Kim, e cila përfundoi mandatin në qershor të vitit 2023.
Wendt do të pritet në orën 11:00 nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, të cilit do t’i dorëzojë letrat kredenciale. Pas ceremonisë, mes kreut të shtetit dhe ambasadorit të ri amerikan parashikohet edhe një takim kokë më kokë.
Eric Wendt vjen në Shqipëri pas një karriere të gjatë në fushën ushtarake dhe të sigurisë. Ai ka shërbyer për më shumë se 34 vite në ushtrinë amerikane, kryesisht në Forcat Speciale “Green Berets”, ndërsa gjatë karrierës së tij ka drejtuar edhe Komandën e Operacioneve Speciale të NATO-s.
Gjatë dëgjesës së zhvilluar në Senatin amerikan, Wendt renditi ndër prioritetet e mandatit të tij luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe trafikut të drogës, si dhe forcimin e bashkëpunimit mes SHBA-së dhe Shqipërisë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë kibernetike.
Ambasadori i ri amerikan ka shprehur gjithashtu mbështetjen për SPAK-un dhe bashkëpunimin e institucionit me agjencitë amerikane të zbatimit të ligjit, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së pavarësisë së tij nga ndikimet politike.






















