Një grup studentësh në Tiranë kanë shkuar në takimin e ministrit të Mjedisit, Sofjan Jaupaj, të zhvilluar në kuadër të nismës “Prania Besnike” të Partisë Socialiste.
Studentët, të cilët kundërshtojnë ligjin nr. 21/2024, deklarojnë se kërkuan të takonin ministrin për t’i kërkuar përgjigje lidhur me mosanulimin e këtij ligji.
“Sot studentët u bashkuan të kërkonin ministrin e Mjedisit, Sofjan Jaupaj, për të dhënë një përgjigje shumë të rëndësishme: pse nuk anulon ligjin 21/2024. U publikua që ishte tek Mozaiku i Tiranës, por në fakt ishte fshehur në një lokal që rastësisht e gjetëm. Dhe aty ishin vetëm me ftesa të OS. Ç’është OS-ja pra? Organizata Socialiste. Kjo është propaganda juaj e ‘Pranisë Besnike’”, shprehen studentët.
Ata pretendojnë se takimi i “Pranisë Besnike” nuk ishte i hapur për qytetarët, por se pjesëmarrja bëhej me ftesa dhe se të pranishëm ishin përfaqësues të organizatave socialiste.






















