
Pas gati tre vitesh, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka sërish një ambasador. Eric Wendt ka nisur këtë të shtunë zyrtarisht misionin e tij diplomatik në Shqipëri, duke pasuar Yuri Kim, e cila përfundoi mandatin në qershor të vitit 2023.
Wendt i dorëzoi letrat kredenciale Presidentit Bajram Begaj në Pallatin e Brigadave. Pas ceremonisë, ambasadori amerikan dhe kreu i shtetit zhvilluan një takim kokë më kokë. Wendt qëndroi rreth dy orë në ambientet e Pallatit të Brigadave.
Gjatë periudhës nga largimi i Yuri Kim deri në mbërritjen e ambasadorit të ri, përfaqësia diplomatike amerikane në Tiranë është drejtuar nga Nancy VanHorn, në cilësinë e së ngarkuarës me punë.
Eric Wendt u propozua nga Presidenti Donald Trump dhe u konfirmua nga Senati amerikan më 6 gusht. Ai vjen në Shqipëri me një karrierë të gjatë në fushën ushtarake dhe të sigurisë, me mbi 34 vite shërbim në ushtrinë amerikane, kryesisht në Forcat Speciale “Green Berets”. Wendt ka drejtuar gjithashtu Komandën e Operacioneve Speciale të NATO-s.
Gjatë dëgjesës së tij në Senat, Wendt përcaktoi si prioritete të mandatit në Shqipëri luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe trafikut të drogës, forcimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë kibernetike, si dhe nxitjen e marrëdhënieve ekonomike.
Ambasadori i ri amerikan ka shprehur gjithashtu mbështetje për SPAK-un dhe bashkëpunimin e tij me agjencitë amerikane të zbatimit të ligjit, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së pavarësisë së institucionit.
Më 2 tetor, Wendt pritet të zhvillojë pritjen zyrtare, ku do të ftohen përfaqësues të politikës shqiptare nga të gjitha krahët.






















