Sekretari i Përgjithshëm i NATO, Mark Rutte, ka mbështetur sulmet e fundit të Shteteve të Bashkuara ndaj Iranit, duke i cilësuar ato si një reagim të domosdoshëm ndaj përshkallëzimit të situatës në Ngushticën e Hormuzit.
Duke folur përpara samitit të NATO-s në Ankara, Rutte deklaroi se veprimi ushtarak amerikan ishte “absolutisht i domosdoshëm”, duke argumentuar se Irani kishte shkelur armëpushimin me sulmet ndaj anijeve në Ngushticën e Hormuzit.
“Kur ke një armëpushim dhe Irani në thelb po e shkel atë, siç pamë me sulmet ndaj anijeve, është krejtësisht thelbësore që SHBA-ja të reagojë me vendosmëri”, tha ai.
Rutte bëri të ditur se programi bërthamor i Iranit do të jetë një nga temat kryesore të diskutimeve në samitin e NATO-s, duke shtuar se aleatët pritet të rikonfirmojnë qëndrimin e tyre se Irani nuk duhet të zotërojë armë apo kapacitete bërthamore në asnjë rrethanë.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e rikthimit të lirisë së lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, duke nënvizuar se kjo rrugë strategjike detare duhet të jetë plotësisht e hapur për të gjitha 32 vendet anëtare të NATO-s.






















