Protesta qytetare kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama dhe klasës së vjetër politike ka hyrë në ditën e saj të 40-të. Qytetarët u mblodhën sërish në sheshin “Skënderbej”, duke përsëritur thirrjet për largimin e kryeministrit dhe duke deklaruar se protesta do të vazhdojë deri në realizimin e kërkesave të tyre.
Në fjalën e saj, një protestuese renditi vështirësitë ekonomike dhe sociale me të cilat, sipas saj, përballen qytetarët çdo ditë, duke përmendur pensionet e ulëta, problemet me sistemin shëndetësor dhe zvarritjen e proceseve gjyqësore.
“Protestojmë për vjedhjet e pensioneve, për mungesën e ilaçeve. Pensionet janë të vjedhura. Pensioni 97 mijë lekë nuk më del për asnjë gjë. Shkoj të blej dhe ilaçet nuk janë të sakta, në spital nuk vizitohesh dot. Kryeministri çfarë bën? Ka 4 milionë euro për një këngëtar dhe popullin e lë në këtë gjendje. Të mblidhemi të gjithë. Nuk ikim pa rrëzuar atë maskara. Kam 10-12 vjet me gjykata dhe nuk marr një përgjigje për pronat”, u shpreh ajo.
Në ditën e 40-të të protestës nuk munguan edhe veprimet simbolike. Një grup studentësh sollën hallvë në shesh, duke e lidhur traditën e 40-ditëshit me mesazhin se “kanë varrosur frikën” dhe se prej 40 ditësh qytetarët po dalin në shesh për të kërkuar ndryshim.
Studentët u përpoqën të ndanin hallvë jo vetëm me protestuesit, por edhe me efektivët e Policisë së Shtetit të angazhuar në tubim. Megjithatë, asnjë prej punonjësve të policisë nuk pranoi ta merrte.
Gjatë protestës reagoi edhe aktivisti Andi Tepelena, i cili kritikoi ashpër deklaratat e drejtorit të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, lidhur me hetimin e profileve në rrjetet sociale që, sipas policisë, po dëmtojnë turizmin përmes komenteve dhe vlerësimeve negative.
Tepelena e cilësoi këtë një përpjekje për të kontrolluar opinionin publik dhe i kërkoi kreut të Policisë të merret me, sipas tij, sulmet që patronazhistët ushtrojnë ndaj qytetarëve dhe aktivistëve në rrjetet sociale.
“Unë doja t’i thoja drejtorit të policisë, në vend që të bësh këto thirrje qesharake, sepse po kthehesh në një lloj komunisti dixhital, si ai i George Orwell-it te ‘1984’, do të bëje mirë t’u bësh thirrje patronazhistëve, ushtrisë së patronazhistëve që fshihen në ato bodrumet e minjve dhe u sulen qytetarëve dhe aktivistëve. Atyre bëju këtë thirrje. Sepse të bësh sikur zëvendëson rolin e Google-it, të ndërhysh në Facebook për review-t dhe komentet negative, është ndër gjërat më qesharake”, tha ai.
Më tej, aktivisti paralajmëroi se përfshirja e institucioneve në monitorimin e shprehjes së lirë në internet përbën një zhvillim shqetësues.
“Kjo është një shenjë e rrezikshme që regjimi, në këto momente, po bën çmos të ndërsejë policinë kundër opinionit të lirë dhe shprehjes së lirë. Ky është një rikthim te metodat e vjetra të shërbimit të shtetit. Dikur përdornin spiunët, tani përdorin këtë lloj terrorizmi digjital”, deklaroi Tepelena.
Protesta qytetare vijon prej 40 ditësh radhazi në Tiranë, ndërsa organizatorët kanë bërë të ditur se tubimet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, duke këmbëngulur se nuk do të tërhiqen deri në arritjen e objektivave të shpallura.






















