
Kryetari i "Shqipëria Bëhet", Adriatik Lapaj, ka deklaruar se do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese aktin normativ të firmosur nga kryeministri Edi Rama, me anë të të cilit janë akorduar rreth 4 milionë euro për financimin e koncertit të reperit amerikan Kanye West.
Sipas Lapajt, akti normativ bie ndesh me Kushtetutën, pasi nuk plotëson kushtet ligjore për miratimin e tij. Ai argumenton se nuk ekziston as nevoja dhe as urgjenca që justifikon nxjerrjen e një akti normativ për këtë qëllim.
Lapaj e cilëson vendimin si një "qokë" të kryeministrit dhe paralajmëroi se çështja do të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese. Ai i bëri thirrje Ramës të mos kryejë pagesën, duke paralajmëruar se do të mbajë përgjegjësi.
"Edi Rama, do ta çojmë në Gjykatën Kushtetuese. Në fakt problemi je ti dhe banda që ti drejton. Grabitqarë si ty dhe ata nuk kishin parë këto treva ndër shekuj. Akti normativ me të cilin ti për qokë i fal Kanye West mbi 4 miliardë lekë nga taksat tona është antikushtetues, së pari sepse nuk paraqet nevojë dhe së dyti sepse nuk paraqet urgjencë. Ligjet me porosi për emra të përveçëm janë antikushtetuese dhe për këtë ne do ta dërgojmë çështjen në Gjykatën Kushtetuese. Mos ia kalo ato para se do të mbash përgjegjësi", u shpreh Lapaj.
Kujtojmë se Këshilli i Ministrave ka miratuar një akt normativ që parashikon financimin me 400 milionë lekë të koncertit të Kanye West, i cili është planifikuar të mbahet më 11 korrik 2026 në Tiranë. Vendimi ka nxitur debate publike dhe reagime në opinionin publik, e cila vë në dyshim përdorimin e aktit normativ për një aktivitet të tillë.






















