Ndërsa liderët e NATO-s janë mbledhur në Ankara, prapa dyerve të mbyllura po zhvillohen diskutime të rëndësishme për të ardhmen e samiteve të aleancës. Sipas një raporti të Bloomberg, po shqyrtohet seriozisht mundësia që samiti i ardhshëm, i planifikuar të mbahet në Shqipëri, të shtyhet.
Sipas burimeve të cituara nga Bloomberg, diskutimet u nxitën nga qëndrimi kritik i Presidentit amerikan Donald Trump ndaj aleancës. Trump deklaroi se mori pjesë në samitin e Ankarasë vetëm për shkak të marrëdhënies së tij me presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan dhe gjatë takimeve vijoi kritikat ndaj NATO-s, duke shtuar shqetësimet mes aleatëve për samitin e ardhshëm.
Bloomberg raporton se një nga arsyet pse po shqyrtohet shtyrja është dëshira për të shmangur një tjetër skenë ku Trump mund të sulmojë publikisht vendet aleate.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, mbështet zhvillimin e samiteve vjetore dhe ka theksuar rritjen e ndjeshme të shpenzimeve për mbrojtjen nga vendet anëtare, në përpjekje për të bindur Trump se aleanca po përmbush angazhimet e saj. Megjithatë, sipas raportit, mbetet e paqartë nëse kjo strategji ka dhënë rezultat.
Bloomberg thekson gjithashtu se në diskutime ka hyrë edhe çështja e vendit pritës. Sipas burimeve të saj, Shqipëria përmendet për faktin se deri vonë nuk kishte arritur objektivin e NATO-s për të shpenzuar të paktën 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për mbrojtjen, duke u renditur ndër vendet me nivelin më të ulët të shpenzimeve ushtarake në aleancë.
Sipas të njëjtave burime, ekziston shqetësimi se kjo mund t’i japë Trump një tjetër argument për të ushtruar presion ndaj aleatëve lidhur me pabarazinë në kontributet financiare për mbrojtjen.
Një tjetër sinjal që ushqen spekulimet është draft-komunikata e Samitit të Ankarasë. Bloomberg raporton se dokumenti nuk përmban asnjë referencë për datën apo vendin ku do të zhvillohet samiti i ardhshëm, ndryshe nga praktika e zakonshme.
Megjithatë, kryetari i Komitetit Ushtarak të NATO-s, Giuseppe Cavo Dragone, deklaroi për Bloomberg TV se samiti do të mbahet në Shqipëri, por pranoi se brenda aleancës po diskutohet nëse ai do të zhvillohet vitin e ardhshëm apo do të shtyhet për një vit më pas.
Debati zhvillohet në një moment kur NATO përballet me sfida të mëdha të sigurisë në Lindjen e Mesme dhe Evropën Lindore, ndërsa aleanca përpiqet të ruajë unitetin përballë presionit të vazhdueshëm të administratës Trump mbi çështjen e shpenzimeve për mbrojtjen.






















