Ndërsa mijëra qytetarë vazhdojnë të mbushin sheshet prej javësh duke kërkuar një Shqipëri ndryshe, në kampin e pushtetit duket se ka nisur të mbizotërojë një ide edhe më ambicioze: jo vetëm të qeverisësh pa pengesa, por edhe të bindësh shqiptarët se opozita nuk u duhet më.
Këtë rol e mori përsipër deputetja socialiste Sara Mila, e komentuar edhe për rezultatin e saj në burgun e Rrogozhinës, e cila vendosi të shpallë fundin politik të Partisë Demokratike. Sipas saj, pas kësaj proteste opozita “nuk do të ekzistojë më”, sepse nuk arriti të rrëzonte Edi Ramën.
Është një mënyrë interesante për ta kuptuar demokracinë. Në vend që protesta të lexohet si shprehje e pakënaqësisë së mijëra qytetarëve, ajo interpretohet si prova se opozita duhet të zhduket. Sikur në demokraci kundërshtari të mos jetë pjesë e sistemit, por një defekt që duhet eliminuar.
Në të njëjtën intervistë, Mila shpjegoi se qeveria nuk ka asnjë arsye të japë dorëheqjen, sepse ka fituar zgjedhjet me 83 mandate. Kjo është një e drejtë që ia jep Kushtetuta. Por askund Kushtetuta nuk thotë se shumica fituese fiton edhe të drejtën të dekretojë fundin e opozitës.
Edhe më paradoksale ishte përpjekja për ta paraqitur protestën si dëshmi të standardeve demokratike, me argumentin se qytetarët protestuan për 38 ditë pa u penguar nga policia. Një version i realitetit që bie ndesh me dhjetëra arrestime, përplasje dhe akuza për përdorim force, të dokumentuara gjatë këtyre javëve.
Demokracia nuk funksionon duke numëruar vetëm votat e shumicës. Ajo funksionon sepse ekziston edhe pakica. Sepse ekziston opozita. Sepse pushteti kontrollohet nga kundërshtari dhe jo nga duartrokitësit.
Prandaj, deklarata e Sara Milës nuk tregon aq shumë për gjendjen e Partisë Demokratike, sa për një mënyrë të rrezikshme të të menduarit politik: atë që e sheh pluralizmin si një pengesë dhe jo si kushtin minimal të demokracisë.
Në fund, nuk është opozita ajo që rrezikohet nga logjika e cunguar e shkollëpakes Sara. Është vetë demokracia.






















