Politika 7 July 2026, 11:54 Nga VNA

Tabaku me “gjysmë sinqeritet”/ Kërkon rrëzimin e sistemit të pronave, por fajin ia faturon vetëm Ramës e jo Berishës

Ndaje në Whatsapp
Tabaku me “gjysmë sinqeritet”/ Kërkon rrëzimin e

Deputetja e PD, Jorida Tabaku, ka deklaruar së fundmi se abuzimi me pronën në Shqipëri nuk është thjesht një keqmenaxhim administrativ, por një "arkitekturë e qëllimshme" e ngritur nga qeveria socialiste për të dobësuar qytetarët dhe për të transferuar pasuritë publike e private drejt një pakice të privilegjuar. Në analizën e saj, Tabaku lidh ligjin për kthimin dhe kompensimin e pronave me atë për investimet strategjike, duke argumentuar se pasiguria e pronësisë dhe regjistrat e pasaktë janë përdorur si mekanizma kontrolli politik dhe ekonomik nga mazhoranca aktuale.

Në fakt, rreshtimi që deputetja u bën ligjeve të periudhës socialiste dhe trajtimit të pronës si "pronë personale e qeverisë" që ndan favore për investitorët është teknikisht i saktë dhe i bazuar në realitetin e viteve të fundit. Megjithatë, kjo analizë, e cila më shumë ngjan me një artikull gazetaresk sesa me një qëndrim të thellë politik, nuk trajton problemin që në gjenezë. Pasiguria e pronësisë, regjistrat e pasaktë dhe vendimet e pazbatuara të gjykatave duket se në statusin e deputetes kanë mbirë në Shqipëri vetëm pas vitit 2013, duke harruar me një elegancë se ku fle realisht zanafilla e këtij problemi.

Për fatin e keq të qytetarëve, mallkimi i pronës në Shqipëri nuk është një sëmundje dhjetëvjeçare, por një kancer që daton që nga koha e qeverisjes së Partisë Demokratike me ligjin famëkeq 7501. Ishte pikërisht ai moment kur u hodhën themelet e xhunglës aktuale, ku prona nuk iu kthye të zotit të ligjshëm, por u nda "për frymë" dhe krijoi një kaos me mbivendosje regjistrash e legalizime elektorale që vazhdon të prodhojë konflikte edhe sot. Ndryshimi i vetëm është se qeverisja e Ramës e gjeti këtë kaos të gatshëm dhe thjesht e perfeksionoi, duke e kthyer me ligje "strategjike" në një biznes ekskluziv për oligarkët.

Meqenëse znj. Tabaku ka zgjedhur të flasë për këtë çështje jetike, ajo duhet ta denoncojë këtë problem që në themel, pasi përgjegjësia është e ndarë me meritë të plotë si nga Rama, ashtu edhe nga Berisha. Nëse vërtet kërkohet rrëzimi i këtij sistemi ku shteti i shndërron të drejtat në favore, atëherë llogaria duhet t'u kërkohet të dyve, ashtu siç bëjnë edhe protestuesit e qytetarët e thjeshtë që janë vjedhur nga të dyja palët. Përndryshe, analizat e saj mbeten thjesht gjysma e së vërtetës, të përshtatshme për konsum elektoral në rrjetet sociale, por larg sinqeritetit që deputetja demokrate mundohet ta shfaq para kamerave.

Video

Ilir Beqaj shfaqet në GJKKO për herë të parë që prej zbutjes së masës së sigurisë.

Deputeti i PD-së, Luan Baçi, paraqitet në SPAK, i shoqëruar nga avokati i tij.

Partia ime më shkarkoi…

Qielli i Nju Jorkut u ndriçua nga rreth 3 mijë dronë gjatë një prove spektakolare për ceremoninë përkujtimore që do të shënojë 25-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 Shtatorit në vitin 2026. Dronët u ngritën mbi qytet dhe krijuan një shfaqje të koordinuar drite, si pjesë e përgatitjeve për një homazh që synon të nderojë viktimat e sulmeve të 11 Shtatorit 2001.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme