Kryeministri Edi Rama prezantoi Programin Kombëtar për Përgatitjen e Biznesit për Integrimin në Bashkimin Europian, duke premtuar ekspertizë, mbështetje dhe një paketë të re për ndërmarrjet e vogla e të mesme. Mesazhi ishte optimist: Shqipëria po shkon drejt BE-së dhe biznesi duhet të përgatitet për këtë etapë të re.
Problemi është se vetë biznesi shqiptar po jep një diagnozë krejt tjetër.
Sipas AmCham Business Index 2025, klima e biznesit në Shqipëri ka pësuar rënien më të madhe që nga krijimi i indeksit në vitin 2012. Vlerësimi ka zbritur në vetëm 40.34 pikë nga 100, një rënie me mbi 6 pikë krahasuar me një vit më parë. Nuk është një perceptim i opozitës, por i kompanive që investojnë, paguajnë taksa dhe operojnë çdo ditë në tregun shqiptar.
Raporti identifikon si problemet kryesore burokracinë shtetërore, korrupsionin, konkurrencën e pandershme, klimën politike, ekonominë informale dhe mungesën e parashikueshmërisë. Mbi 70% e bizneseve e konsiderojnë informalitetin ende shumë të lartë. Pra, ndërsa qeveria flet për përgatitjen për standardet europiane, vetë biznesi vazhdon të luftojë me probleme bazike që një ekonomi funksionale duhet t’i kishte zgjidhur prej kohësh.
Anëtarësimi në Bashkimin Europian nuk fillon me seminare, logo apo programe të reja. Fillon me sundimin e ligjit, institucione që funksionojnë, konkurrencë të ndershme dhe administratë që nuk e trajton sipërmarrësin si subjekt kontrolli të përhershëm.
Paradoksi është i qartë. Në podium dëgjojmë se biznesi duhet të përgatitet për Europën. Në terren, biznesi po thotë se problemi nuk është Europa. Problemi është Shqipëria.
Ndoshta para se të mësojmë biznesin si të hyjë në tregun europian, duhet të ndërtojmë një shtet ku ai të mos ndihet i huaj në tregun shqiptar. Sepse integrimi nuk matet me numrin e programeve që prezantohen, por me besimin që kanë investitorët tek vendi. Dhe sot, sipas indeksit të Dhomës Amerikane të Tregtisë, ky besim është në nivelin më të ulët historik.






















