TIRANË – Kolegji Universitar “Bedër” pritet të mbyllë aktivitetin e tij. Sipas burimeve pranë institucionit, universiteti nuk do të hapë pranime për studentë të rinj për vitin akademik 2026–2027, ndërsa studentët aktualë do të vijojnë studimet sipas një plani tranzicioni deri në diplomim.
Por koha kur merret ky vendim nuk kalon pa u vënë re. Ai vjen pikërisht në ditën kur kryeministri Edi Rama ndodhet në Ankara, ku po merr pjesë në Samitin e NATO-s me ftesë të presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan.
Prej më shumë se një dekade, Ankaraja ka ushtruar presion mbi Shqipërinë për mbylljen e institucioneve që i konsideron të lidhura me lëvizjen e Fethullah Gylen, armikut politik të Erdoganit, të cilin Turqia e akuzon për organizimin e grushtit të dështuar të shtetit të vitit 2016. Qeveritë shqiptare, përfshirë edhe kabinetin Rama, nuk kishin pranuar deri më tani të ndërmerrnin një hap të tillë, duke e konsideruar çështjen si të brendshme.
Pikërisht për këtë arsye, përkimi i mbylljes së “Bedër” me vizitën e Ramës në Ankara ngre pikëpyetje politike. A është kjo thjesht një rastësi administrative, apo një sinjal ndaj presidentit turk në një moment kur marrëdhëniet mes dy liderëve duket se kanë kaluar një periudhë ftohtësie? Deri tani nuk ka një përgjigje zyrtare.
Edhe më e pazakontë është heshtja e Ministrisë së Arsimit. As institucioni dhe as ministria nuk kanë dhënë shpjegime publike për arsyet e ndërprerjes së aktivitetit, ndërsa faqja zyrtare e universitetit vazhdon të jetë aktive, por pa asnjë njoftim për pranimet e reja.
Në mungesë të transparencës, pyetjet mbeten të hapura. Dhe, për momentin, qeveria nuk po jep asnjë përgjigje.






















