
Deputetja e larguar nga Partia Socialiste, Marjana Koçeku, ka reaguar ndaj vendimit të qeverisë për të akorduar 4 milionë euro për koncertin e Kanye West, duke argumentuar se këto para duhej të ishin investuar në parandalimin e zjarreve, mbështetjen e banorëve dhe forcimin e kapaciteteve të emergjencave civile.
Në një postim në Facebook, Koçeku rikujton situatën dramatike të zjarreve që përfshinë vendin një vit më parë dhe paralajmëron se kjo verë mund të jetë edhe më e vështirë për shkak të temperaturave të larta.
“Vjet vendi ynë kaloi një katastrofë zjarresh. E kam pa nga afër dëmtimin e jashtëzakonshëm që iu ba natyrës. Këtë vit pritet që situata të jetë edhe ma alarmante për shkak të temperaturave të larta. 4 milionë eurot e nji stadiumi njipërdorimsh do të duhej të ishin investu në parandalimin e zjarreve, në mbështetjen e banorëve dhe në forcimin e kapaciteteve të emergjencave”, shkruan ajo.
Kritika, në thelb, është e drejtë. Shqipëria ka vuajtur prej vitesh nga mungesa e investimeve serioze në mbrojtjen e pyjeve dhe menaxhimin e emergjencave, ndërsa çdo verë përballet me të njëjtat skena: hektarë të tërë të djegur, banorë të lënë të vetëm dhe forca të pamjaftueshme për të përballuar flakët.
Por pyetja që lind natyrshëm është tjetër: pse kjo kritikë vjen vetëm tani?
Kur vendi digjej verën e kaluar, Koçeku ishte pjesë e mazhorancës. Në atë kohë nuk pati asnjë reagim publik për mungesën e mjeteve, pajisjeve apo investimeve për të parandaluar katastrofën. Nuk pati asnjë thirrje ndaj qeverisë që të ndryshonte prioritetet e saj, ndërsa pyjet shkrumboheshin dhe dëmet shtoheshin çdo ditë.
Në fakt, pyjet janë djegur edhe vitin e kaluar. Problemet që ngre sot deputetja nuk lindën me fondin për koncertin e Kanye West dhe as me verën e këtij viti. I vetmi ndryshim duket se është pozicioni i saj politik. Kur ishte pjesë e Partisë Socialiste, zjarret nuk dukeshin aq alarmante sa për të kërkuar publikisht llogari. Sot, pasi është larguar nga partia, tymi i flakëve duket se është bërë shumë më i dukshëm.
Kritika ndaj qeverisë është legjitime dhe debati për mënyrën se si shpenzohen fondet publike është i nevojshëm. Por po aq legjitime mbetet edhe pyetja: nëse këto shqetësime kanë ekzistuar prej kohësh, pse nuk u ngritën atëherë, kur zëri i saj ishte pjesë e pushtetit dhe kishte më shumë peshë për të kërkuar përgjegjësi?






















