Opinion 8 July 2026, 20:44 Nga VNA

Nga Grama në Dhërmi, ndotja është e dukshme. Skandali i vërtetë është mungesa e përgjegjësve.

Ndaje në Whatsapp

WhatsApp Image 2026-07-08 at 8.43.46 PM.jpeg

Nga Dorian Mersini (Jurist i së Drejtës Detare)

Pamjet e ditëve të fundit nga bregdeti i Jonit, ku ujërat dhe vija bregdetare, nga plazhi i Grames, Shën Andreas e deri në Dhërmi, u ndotën nga mbetje vajore që dyshohet se burojnë nga shkarkimi i paligjshëm i sentinave të anijeve, përbëjnë një nga incidentet më shqetësuese mjedisore të kohëve të fundit në brigjet shqiptare. Por, edhe më shqetësuese se vetë ndotja është heshtja institucionale që e ka shoqëruar këtë ngjarje.

Si është e mundur që, në vitin 2026, kur pothuajse çdo anije tregtare monitorohet në kohë reale përmes sistemit AIS (Automatic Identification System) dhe lëvizjet e saj janë të aksesueshme edhe nga platforma publike si MarineTraffic, të jetë kaq e vështirë të identifikohet se cila ose cilat anije kanë qenë në zonën ku ka ndodhur ndotja?

Nëse një qytetar i zakonshëm mund të hapë një platformë online dhe të shohë trafikun detar në çdo moment, atëherë sa më shumë duhet ta kenë këtë mundësi autoritetet detare shqiptare, të cilat disponojnë instrumente shumë më të avancuara monitorimi, përfshirë sistemet kombëtare të mbikëqyrjes së hapësirës detare, të dhënat radarike dhe informacionin e shkëmbimit ndërkombëtar.

Pikërisht për këtë arsye lind pyetja: a është bërë një analizë e plotë e trafikut detar në momentin kur ka ndodhur ndotja? A janë identifikuar të gjitha anijet që kanë kaluar në atë zonë? A janë marrë mostra për analizë laboratorike? Dhe, mbi të gjitha, a është njoftuar shteti i flamurit të anijes përgjegjëse, nëse ajo është identifikuar?

Konventa Ndërkombëtare MARPOL 73/78, e cila rregullon parandalimin e ndotjes nga anijet, nuk është një dokument formal për t’u cituar vetëm në konferenca. Ajo vendos detyrime konkrete për shtetet bregdetare që të hetojnë, dokumentojnë dhe ndjekin çdo rast të dyshuar të ndotjes detare. Nëse provohet se ndotja është shkaktuar nga shkarkimi i paligjshëm i sentinave, autoritetet shqiptare kanë detyrimin të mbledhin provat, të identifikojnë anijen përgjegjëse dhe t’ia referojnë rastin shtetit të flamurit dhe organizmave ndërkombëtarë kompetentë, në mënyrë që të merren masat ligjore përkatëse.

Mungesa e një reagimi publik krijon përshtypjen se ngjarje të tilla mund të kalojnë pa asnjë pasojë. Kjo dëmton jo vetëm mjedisin, por edhe besimin e publikut te institucionet dhe reputacionin e Shqipërisë si një destinacion turistik dhe detar.

Është paradoksale që investohen miliona euro në zhvillimin e marinave turistike, promovimin e Rivierës Shqiptare dhe industrisë së jahteve, ndërsa një akt i tillë ndotjeje rrezikon të zhbëjë, me një goditje të vetme, gjithë këtë përpjekje.

Deti nuk ka nevojë për deklarata të bukura. Ka nevojë për institucione që veprojnë. Çdo orë vonesë në hetim e bën më të vështirë identifikimin e autorëve dhe më të lehtë përsëritjen e këtyre krimeve mjedisore.

Nëse sot nuk identifikojmë dhe ndëshkojmë autorët e ndotjes së bregdetit Jonian, nesër rrezikojmë t’u japim mesazhin të gjithë operatorëve detarë se brigjet shqiptare janë një vend ku mund të shkarkohen mbetje vajore pa pasoja.

Mbrojtja e mjedisit detar nuk është zgjedhje politike. Është detyrim ligjor, kombëtar dhe ndërkombëtar. Heshtja, në raste të tilla, nuk është neutralitet. Heshtja është bashkëfajësi.

Video

Ndalimi i tre deputetëve të VLEN në Qafë-Thanë, Skënder Hitaj: Policia zbatoi ligjin, nuk ka vend për panik.

Zojë Nika, e afërmja e autorit të krimit në Shkodër, ka deklaruar se Shtjefën dhe Bardhe Ziçi njiheshin si një familje e qetë dhe nuk kishin pasur probleme më parë. Ajo u shpreh e tronditur nga ngjarja, ndërsa motivet e vrasjes mbeten ende të paqarta.

Pamjet nga vendi i ngjarjes në Shkodër tregojnë forca të shumta policie dhe grupin hetimor të angazhuar në këqyrjen e zonës ku ndodhi krimi i rëndë në familje. Zona është rrethuar me shirita sigurie, ndërsa ekspertët kriminalistikë vijojnë mbledhjen e provave dhe dokumentimin e rrethanave të ngjarjes, ku një 64-vjeçar dyshohet se vrau me armë gjahu bashkëshorten e tij 54-vjeçare.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme