Opinion 7 July 2026, 10:45 Nga VNA

Ultima ratio, por jo për Veliajn? Testi i vërtetë i Gjykatës së Lartë sapo ka nisur

Ndaje në Whatsapp
Ultima ratio, por jo për Veliajn? Testi i vërtetë i Gjykatës

Le të themi disa të vërteta. Debati për përdorimin e masës së “arrestit në burg” nuk nisi nga teoria, por nga rasti i Erion Veliajt. Paraburgimi i tij i zgjatur solli në qendër të vëmendjes një pyetje që prej vitesh shmangej nga sistemi i drejtësisë: a po përdoret arresti në burg si masa e parë dhe jo si masa e fundit?

Në këtë klimë erdhi edhe nisma e kryetarit të Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, për unifikimin e praktikës gjyqësore. Vendimi, i zbardhur vetëm pas rreth dy muajsh, vendos një standard të ri të rëndësishëm: arresti në burg është ultima ratio. Ai mund të caktohet vetëm kur gjykata provon se çdo masë tjetër është e pamjaftueshme dhe këtë duhet ta arsyetojë në mënyrë konkrete, jo me formula standarde.

Në pamje të parë, duket si një ndryshim i madh. Por ndërkohë ka ndodhur një zhvillim që e bën këtë vendim shumë më domethënës.

Gjykata Kushtetuese shfuqizoi vendimin e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë në çështjen Veliaj dhe ia ktheu po asaj gjykate për rishqyrtim. Nuk preku vendimet e GJKKO-së dhe të Apelit, por pikërisht vendimin e Gjykatës së Lartë, duke kërkuar një rivlerësim të standardeve kushtetuese të proporcionalitetit.

Kjo do të thotë se Gjykata e Lartë nuk ka më luksin të mbetet te parimet. Ajo duhet t’i zbatojë ato.

Paradoksi është i qartë. Vendimi unifikues nuk i jep vetvetiu zgjidhje çështjes së Veliajt. Dokumenti mund të shpallë sa herë të dojë se arresti në burg është ultima ratio, por prova e vërtetë nuk është ajo që është shkruar në dhjetëra faqe. Prova është vendimi që e njëjta Gjykatë e Lartë do të marrë kur të rishqyrtojë çështjen që ia ka kthyer Gjykata Kushtetuese.

Nëse standardi i ri do të zbatohet, atëherë Gjykata e Lartë duhet të tregojë, me argumente konkrete, pse paraburgimi vazhdon të jetë i domosdoshëm ose, përkundrazi, pse një masë më e lehtë është e mjaftueshme. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë “ultima ratio” rrezikon të mbetet vetëm një parim i bukur në letër.

Në fund, testi nuk është vendimi i unifikimit. Testi është vendimi që Gjykata e Lartë do të japë për Erion Veliajn. Pikërisht aty do të kuptohet nëse jurisprudenca shqiptare ka ndryshuar vërtet, apo nëse standardi i ri është shkruar për të gjithë, përveç çështjes që e bëri të domosdoshëm.

Video

Ilir Beqaj shfaqet në GJKKO për herë të parë që prej zbutjes së masës së sigurisë.

Deputeti i PD-së, Luan Baçi, paraqitet në SPAK, i shoqëruar nga avokati i tij.

Partia ime më shkarkoi…

Qielli i Nju Jorkut u ndriçua nga rreth 3 mijë dronë gjatë një prove spektakolare për ceremoninë përkujtimore që do të shënojë 25-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 Shtatorit në vitin 2026. Dronët u ngritën mbi qytet dhe krijuan një shfaqje të koordinuar drite, si pjesë e përgatitjeve për një homazh që synon të nderojë viktimat e sulmeve të 11 Shtatorit 2001.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme