Opinion 6 July 2026, 08:41 Nga VNA

Kur marketingu politik të kthehet në autogol 

Ndaje në Whatsapp
Kur marketingu politik të kthehet në autogol 

Prej vitesh është krijuar ideja se Edi Rama është një politikan me aftësi të jashtëzakonshme në marketing dhe marrëdhënie publike. Kjo është përsëritur shpesh nga analistë, por edhe është kthyer në bindje për një pjesë të elektoratit. Në fakt, është e diskutueshme nëse marketingu ka qenë ndonjëherë arsyeja kryesore e ngjitjes dhe e konsolidimit të tij në pushtet. Faktorët që e kanë mbajtur në qeverisje për një periudhë kaq të gjatë janë shumë më kompleksë dhe nuk lidhen vetëm me mënyrën se si ai ka komunikuar. Kjo është një analizë më vete.

Por, nëse ka një moment kur marketingu politik po kthehet nga avantazh në pengesë, ai është pikërisht ky. Protesta që tashmë ka hyrë në muajin e dytë duket se e ka ekspozuar dobësinë e strategjisë së komunikimit të qeverisë. Aq sa, po të bëhej fjalë për një kompani private që do të përballej me një krizë të rëndë reputacioni, një strategji e tillë komunikimi do ta kishte çuar prej kohësh drejt falimentimit. Jo domosdoshmërisht për shkak të problemit fillestar, por për shkak të mënyrës katastrofike se si ai u menaxhua.

Që nga dita e parë, kur protesta nisi pranë gardhit me tela me gjemba në Zvërnec, komunikimi i qeverisë është karakterizuar nga një zinxhir reagimesh të gabuara. Fillimisht u përdorën imazhe që nuk i shërbenin aspak zbutjes së krizës. Më pas erdhën deklaratat kontradiktore, mohimet, teoritë për ndikime të huaja dhe poliagjentura, sulmet personale ndaj protestuesve, përqeshja e tyre, deri te denigrimi përmes historive individuale, të cilat shpesh ngjanin më shumë me skenarë telenovelash sesa me komunikim institucional.

Në vend që të qetësonte opinionin publik, çdo reagim i ri ka prodhuar një krizë të re komunikimi. Kjo është arsyeja pse marketingu politik i qeverisë nuk po arrin më të ndërtojë narrativa bindëse, por po prodhon efektin e kundërt.

Kulmi u arrit pas protestës së 4 korrikut. Në protestë u përdor një arkivol kartoni si simbol i vdekjes së një pushteti që protestuesit e konsiderojnë të konsumuar. Ishte një element simbolik, i përdorur prej dekadash në protesta të natyrave të ndryshme.

Megjithatë, reagimi i qeverisë ishte krejt tjetër. Ministrat nisën ta interpretonin atë si një sulm ndaj “arritjeve” të qeverisë, duke ndërtuar një narrativë sipas së cilës protestuesit kërkonin “vdekjen” e këtyre “përparimeve”. Një interpretim i tillë jo vetëm që nuk gjeti mbështetje, por e largoi edhe më shumë debatin nga thelbi i protestës.

Më problematik u bë momenti kur arkivoli simbolik i protestës u krahasua me arkivolin e Azem Hajdarit. Ky krahasim nuk është thjesht politikisht i gabuar, por edhe historikisht i pavend.

Arkivoli i Azem Hajdarit lidhet me një nga ngjarjet më të rënda politike të tranzicionit shqiptar. Ai mbante trupin e drejtuesit të lëvizjes studentore për demokraci, të vrarë me organizim shtetëror nga një pushtet që një vit më parë kishte marrë fuqinë përmes kryengritjes së armatosur, e cila kishte mbjellë vrasje dhe kaos në të gjithë vendin, nën bekimin dhe ngazëllimin e fqinjit jugor. Ta vendosësh atë në të njëjtin plan me një arkivol kartoni, të përdorur si simbol proteste, është një krahasim i pavend, i pamend dhe, për nga përdorimi politik, po aq cinik sa vetë ata që organizuan atë vrasje.

Me vrasjen e Hajdarit filloi një tjetër stinë e pushkatimit politik në Shqipëri, që solli në kujtesë metodat e komunizmit. Kush e ka përjetuar atë histori në familjen e vet, nuk duhet t’i shkojë ndër mend të bëjë me ngazëllim krahasime të tilla.

Ndërkohë që, me aktivitetin e vet korruptiv dhe papërgjegjshmërinë, këta qeveritarë dhe të tjerët para tyre kanë mbjellë realisht vdekjen e ngadaltë dhe të shpejtë të popullit që drejtojnë: me largimin në emigrim, me ndotjen sëmundjesjellëse, me shëndetësinë sëmundjerënduese, me rrugët e pasigurta e aksidentshkatuese, me problemet në sigurinë ushqimore, me rëndimin e pasojave të ndryshimeve klimatike si rrjedhojë e betonizimit e me radhë. Lista është e gjatë.

Në fakt, në atë arkëmort të protestës duhet të hyjë e gjithë kjo strategji politike që ka prodhuar, sipas protestuesve, vrasjen e ngadaltë të Shqipërisë dhe të shqiptarëve.

Rama bën mirë të frenojë ngazëllimin makabër të pasuesve të tij. Se mirë që flamingot u ikën, siç u kanë ikur edhe pëllumbat e mendjes, por, me sa duket, u ka lënë shëndenë edhe marketingu.

Video

Protesta në ditën e 37. Qytetarët nisin të mblidhen në sheshin "Skënderbej".

Protesta e 37, nis marshimi drejt Kryeministrisë.

Autostrada Durrës–Tiranë është bllokuar përkohësisht në segmentin pranë Shijakut, për shkak të tymit të dendur të shkaktuar nga një zjarr në fshatin Koxhas. Prania e madhe e tymit ka reduktuar ndjeshëm shikueshmërinë në rrugë, duke u kthyer në një burim të rrezikshëm për aksidente të mundshme. Për këtë arsye, autoritetet kanë marrë vendimin për të mbyllur lëvizjen e automjeteve deri në normalizimin e plotë të situatës.

Në MetLife Stadium u zhvillua një festë e madhe për Norvegjinë, e cila mposhti Brazilin dhe siguroi kualifikimin për në çerekfinalet e Kupës së Botës 2026. Heroi i ndeshjes ishte Erling Haaland, i cili shënoi golin vendimtar në fitoren 2-1. Pas përfundimit të takimit, në stadium shpërtheu entuziazmi i tifozëve norvegjezë. Haaland më pas mori pjesë në festime duke i rënë daulles dhe duke udhëhequr tifozët në “Viking Row”, rituali tradicional i festimit i njohur si “Viking Row”.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme