
Gjykata e Apelit në Paris ka konfirmuar fajësinë e lideres së së djathtës franceze, Marine Le Pen, në çështjen që lidhet me keqpërdorimin e fondeve të Parlamentit Europian, por i ka lehtësuar dënimin, duke i hapur rrugën kandidimit në zgjedhjet presidenciale të vitit 2027.
Le Pen u dënua me tre vite burg, nga të cilat dy me kusht, ndërsa një vit do ta vuajë nën mbikëqyrje elektronike, duke mbajtur një byzylyk elektronik.
Pika kyçe e vendimit ishte ndalimi për të ushtruar funksione publike. Gjykata vlerësoi se një pjesë e kësaj mase është konsumuar tashmë që nga vendimi i shkallës së parë, duke shkurtuar periudhën e moskandidimit. Kjo do të thotë se kalendari gjyqësor nuk e pengon më Le Pen të garojë për herë të katërt për presidencën e Francës në pranverën e vitit 2027.
Mbetet ende e paqartë nëse Le Pen do të zhvillojë fushatë elektorale duke mbajtur byzylykun elektronik. Vetë ajo kishte deklaruar më herët se nuk do të pranonte të kandidonte si “një grua jo e lirë”, duke lënë të kuptohej se një masë e tillë do të ishte e papajtueshme me një kandidim presidencial.
Vendimi pritet të ketë ndikim të madh në skenën politike franceze, pasi rikthen në lojë kandidaten kryesore të së djathtës nacionaliste në prag të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2027.






















