Një gjykatë në Kinë ka dënuar me vdekje ish-zyrtarin Yang Yulin, pasi u shpall fajtor për korrupsion në vlerën e rreth 325 milionë dollarëve gjatë një periudhe prej 30 vitesh.
Vendimi u dha nga Gjykata e Ndërmjetme Popullore e Changzhou, e cila e shpalli Yang fajtor për marrje ryshfeti, përvetësim fondesh publike, abuzim me detyrën, pastrim parash dhe dhënie ryshfeti.
Sipas hetimeve, nga viti 1993 deri në vitin 2023, ai përfitoi në mënyrë të paligjshme para, prona dhe pasuri me vlerë mbi 2.21 miliardë juanë (rreth 325 milionë dollarë), duke favorizuar kompani në dhënien e projekteve, aktiviteteve tregtare, koncesioneve të tokës dhe financimeve.
Gjatë procesit gjyqësor, Yang pranoi fajësinë dhe shprehu pendesë për veprimet e tij. Përveç dënimit me vdekje, gjykata urdhëroi sekuestrimin e pasurisë së tij personale dhe rikuperimin e shumës së përfituar nga aktiviteti korruptiv.
Rasti është pjesë e fushatës së gjerë kundër korrupsionit të nisur nga presidenti kinez Xi Jinping. Ndërsa autoritetet kineze e cilësojnë këtë si një përpjekje për të goditur korrupsionin në nivelet më të larta të administratës, kritikët pretendojnë se fushata është përdorur edhe për të eliminuar rivalët politikë.
Yang Yulin është një nga zyrtarët më të fundit të rangut të lartë të dënuar me vdekje për korrupsion në Kinë. Në vitin 2021 u ekzekutua Lai Xiaomin, ndërsa në vitin 2024 u ekzekutua edhe Li Jianping, të dy të dënuar për korrupsion dhe përvetësim fondesh.






















