Dy ish-pjesëtarë të shërbimeve sekrete italiane janë arrestuar në Romë, pasi dyshohen se kanë kaluar informacione tepër të ndjeshme tek Rusia në këmbim të shumave të parave. Sipas hetimeve të Prokurorisë së Romës, të zhvilluara nga karabinierët e ROS, ata kishin krijuar kontakte me një zyrtar të Ambasadës ruse në kryeqytetin italian, të cilit i dorëzonin të dhëna të klasifikuara që lidhen me sigurinë kombëtare.
Mes akuzave më të rënda është edhe zbulimi i identitetit të agjentëve italianë të angazhuar në operacionet e kundërspiunazhit, duke rrezikuar kështu personel që punonte mbi dosje tepër të ndjeshme. Hetuesit dyshojnë gjithashtu se mes zyrtarit rus dhe të dyshuarve janë kryer pagesa në këmbim të informacionit të dorëzuar.
Në pranga kanë përfunduar Gavino Raoul Piras dhe Vincenzo Di Pasquale, të dy 59 vjeç, ish-karabinierë me përvojë shumëvjeçare në shërbimet sekrete dhe ekspertë të spiunazhit e kundërspiunazhit. Në të njëjtën çështje janë nën hetim edhe disa punonjës të tjerë të Ministrisë italiane të Mbrojtjes, ndërsa autoritetet po verifikojnë rolin e secilit.
Gjatë operacionit janë sekuestruar telefona celularë, kompjuterë dhe pajisje të tjera elektronike për të rindërtuar komunikimet mes të dyshuarve dhe për të përcaktuar shkallën e informacionit të klasifikuar që mund të jetë transmetuar.
Hetimi nisi pas një sinjalizimi të shërbimit sekret italian AISE në vitin 2025 dhe rikthen në vëmendje rastin e bujshëm të oficerit të Marinës, Walter Biot, i arrestuar në vitin 2021 teksa dorëzonte dokumente sekrete një zyrtari rus kundrejt pagesës.
Presidenti i Komitetit Parlamentar për Sigurinë e Republikës (Copasir), Lorenzo Guerini, deklaroi se aktivitetet e spiunazhit rus ndaj Italisë përbëjnë një kërcënim të njohur për sigurinë kombëtare dhe se institucionet italiane po punojnë me intensitet për t’i identifikuar dhe neutralizuar ato.






















