
Gruaja e dyshuar për atentatin me bombë në Monako, ku mbetën të plagosur një multimilioner ukrainas nën sanksione dhe familja e tij, është gjetur e vdekur në Ukrainë. Lajmi është konfirmuar nga Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës (SBU), i cili bëri të ditur se 39-vjeçarja Anastasiia Berezovska kishte plagë plumbi në kokë.
Për vrasjen e saj janë arrestuar dy persona, mes tyre një oficer aktiv i Drejtorisë Kryesore të Inteligjencës pranë Ministrisë së Mbrojtjes së Ukrainës dhe një ish-efektiv i forcave të rendit.
Sipas autoriteteve ukrainase, Berezovska mbërriti në Ukrainë më 1 korrik, dy ditë pas shpërthimit të bombës në Monako. Hetimet zbuluan se ajo kishte kontaktuar familjarët e saj dhe dy personat e arrestuar, të cilët dyshohet se i kishin transferuar vazhdimisht para në llogaritë e saj bankare dhe në portofolët e kriptomonedhave.
SBU njoftoi se oficeri i inteligjencës ka pranuar autorësinë e vrasjes së Berezovskës, duke deklaruar se e kreu krimin së bashku me personin tjetër të arrestuar. Gjatë kontrollit në banesën e ish-efektivit, hetuesit zbuluan një dhomë në bodrum që, sipas autoriteteve, ngjante me një dhomë torture.
Berezovska ishte objekt i një kërkimi ndërkombëtar pas shpërthimit të ndodhur më 29 qershor në hyrje të një pallati në Monako. Sipas prokurorisë së principatës, ajo kishte survejuar objektivin për disa ditë dhe gjatë atentatit ishte maskuar si burrë.
Nga shpërthimi u plagosën tre persona, dy prej tyre rëndë. Mediat lokale raportuan se objektivi i sulmit ishte biznesmeni ukrainas Vadym Yermolaiev, partnerja e tij dhe djali 13-vjeçar. Yermolaiev, i cili jeton në Monako dhe ka shtetësi qipriote, është nën sanksione të Ukrainës që prej vitit 2023 për interesat e tij ekonomike në Krime.
Interpol kishte lëshuar një njoftim të kuq ndërkombëtar për arrestimin e Berezovskës, ndërsa autoritetet ukrainase dhe ato të Monakos vijojnë bashkëpunimin për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në atentat.






















