Edhe pse Kupa e Botës 2026 nuk ka përfunduar ende, deri më tani plot 13 trajnerë kanë lënë detyrën. Disa u shkarkuan pas rezultateve zhgënjyese, të tjerë dhanë dorëheqjen pas eliminimit, ndërsa pati edhe nga ata që u larguan për shkak të presionit të madh apo konflikteve brenda skuadrës.
Ja trajnerët që i kanë dhënë fund aventurës së tyre në Botërorin e zhvilluar në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Meksikë.
Roberto Martinez (Portugali)
Pas humbjes 1-0 ndaj Spanjës në fazën e 1/8-tës së finales, Roberto Martinez konfirmoi largimin nga drejtimi i Portugalisë. Ai deklaroi se kishte marrë detyrën me objektivin për të fituar Kupën e Botës dhe, pasi nuk e arriti këtë synim, nuk kishte arsye të vazhdonte. Martinez e mbylli periudhën trevjeçare e gjysmë në krye të Portugalisë me triumfin në Ligën e Kombeve 2025 dhe dy çerekfinale, por pa arritur asnjë finale në turnetë madhorë.
Sabri Lamouchi dhe Herve Renard (Tunizi)
Tunizia kaloi një Botëror kaotik. Sabri Lamouchi u shkarkua pas humbjes së rëndë 5-1 ndaj Suedisë, ndërsa pasuesi i tij, Herve Renard, nuk arriti ta ndryshonte situatën. Humbjet ndaj Japonisë dhe Holandës vulosën eliminimin, ndërsa edhe Renard vendosi të largohej.
Javier Aguirre (Meksikë)
Aguirre i dha fund mandatit të tij pas humbjes 3-2 ndaj Anglisë në fazën e 1/8-tës. Largimi ishte planifikuar më herët, pasi Rafael Marquez ishte përgatitur si pasardhës. Megjithatë, ai u largua duke lënë pas paraqitjen më të mirë të Meksikës në një Kupë Bote pas shumë vitesh.
Steve Clarke (Skoci)
Steve Clarke dha dorëheqjen menjëherë pas eliminimit në fazën e grupeve, edhe pse vetëm pak javë më parë kishte rinovuar kontratën. Ai largohet si një nga trajnerët më të suksesshëm në historinë moderne të Skocisë, pasi riktheu kombëtaren në Kampionatin Evropian dhe në Kupën e Botës pas dekadash mungese.
Hong Myung-bo (Koreja e Jugut)
Eliminimi në fazën e grupeve i dha fund aventurës së Hong Myung-bo. Përveç rezultateve të dobëta, ai u përball edhe me kritika të forta publike dhe kërcënime, ndërsa emërimi i tij ishte kundërshtuar që në fillim.
Ronald Koeman (Holandë)
Pas eliminimit nga Maroku me penallti, Koeman fillimisht mbrojti zgjedhjet e tij taktike, por vetëm një ditë më vonë dha dorëheqjen, duke pranuar se ishte koha për t'i hapur rrugë një cikli të ri.
Carlos Queiroz (Ganë)
Portugezi mori drejtimin e Ganës vetëm pak muaj para Botërorit dhe arriti ta çonte skuadrën në fazën eliminatore për herë të parë që nga viti 2010. Megjithatë, pas humbjes ndaj Kolumbisë në 1/16-at e finales, ai njoftoi largimin, duke kërkuar më shumë investime në futbollin e vendit.
Sebastian Beccacece (Ekuador)
Beccacece u largua pas eliminimit nga Meksika, me përfundimin e kontratës së tij. Ai e mbylli mandatin pasi e riktheu Ekuadorin në Kupën e Botës dhe e çoi në fazën eliminatore për herë të parë pas 20 vitesh.
Miroslav Koubek (Çeki)
Pas vendit të fundit në grup, Koubek u nda me kombëtaren çeke. Ai deklaroi se klima e krijuar nga mediat ndikoi në vendimin për t'u larguar, pavarësisht se kishte rikthyer Çekinë në Botëror pas dy dekadash.
Marcelo Bielsa (Uruguai)
Largimi i Marcelo Bielsës ishte vendosur që para nisjes së turneut, por eliminimi i hershëm dhe raportet e tensionuara me lojtarët e bënë fundin e mandatit shumë më të hidhur.
Jamal Sellami (Jordani)
Sellami shkroi histori duke e kualifikuar Jordaninë për herë të parë në Kupën e Botës, por pas tre humbjeve në fazën e grupeve vendosi të largohej, duke mbyllur një kapitull historik për futbollin jordanez.
Julian Nagelsmann (Gjermani)
Nagelsmann njoftoi dorëheqjen pas eliminimit të Gjermanisë nga Paraguai me penallti, megjithëse mediat gjermane raportuan se në praktikë bëhej fjalë për një shkarkim të maskuar. Pas gati tre vitesh në krye të kombëtares, ai pritet të zëvendësohet nga Jurgen Klopp.
Kush mund të jetë i radhës?
Lista e trajnerëve të larguar pritet të zgjatet. Hugo Broos ka paralajmëruar dorëheqjen pas eliminimit të Afrikës së Jugut, Zlatko Daliç duket pranë fundit të ciklit të tij me Kroacinë, ndërsa Vladimir Petkoviç vazhdon të jetë nën presion të madh në Algjeri, ku largimi i tij konsiderohet vetëm çështje kohe.






















