UEFA ka reaguar ashpër ndaj vendimit të FIFA-s për të hequr pezullimin e sulmuesit të SHBA-së, Folarin Balogun, duke i mundësuar atij të luajë në ndeshjen ndaj Belgjikës, pavarësisht kartonit të kuq të marrë në sfidën e mëparshme.
Në një deklaratë zyrtare, organizata e drejtuar nga Aleksander Ceferin e cilësoi vendimin si të paprecedentë dhe të pajustifikueshëm.
"Vendimi për të pezulluar zbatimin e dënimit automatik prej një ndeshjeje pas kartonit të kuq ka kaluar një vijë që nuk duhej të kalohej. Futbolli, si çdo sport tjetër, mbështetet mbi rregulla që garantojnë një garë të drejtë, të ndershme dhe transparente", thuhet në reagimin e UEFA-s.
Sipas UEFA-s, pezullimi automatik pas një kartoni të kuq nuk është një masë që mund të ndryshohet sipas dëshirës, por një rregull i qartë që zbatohet për të gjithë pa përjashtim.
"Nuk bëhet fjalë për interpretim. Dënimi minimal prej një ndeshjeje është i përcaktuar në rregullore dhe nuk mund të jetë objekt përjashtimesh, aq më tepër në mes të një turneu ku futbollistë të tjerë kanë vuajtur rregullisht pezullimet e tyre", thekson UEFA.
Organizata europiane paralajmëroi se vendime të tilla dëmtojnë besueshmërinë e garës dhe krijojnë një precedent të rrezikshëm.
"Kur siguria e zbatimit të rregullave nuk garantohet më nga ata që duhet t'i mbrojnë, integriteti i lojës vihet në rrezik dhe besueshmëria e një kompeticioni cënohet. Ky vendim krijon gjithashtu një precedent për pjesën e mbetur të turneut, pasi raste të ngjashme do të kërkojnë trajtim të barabartë, në dëm të vetë garës."
Në fund të deklaratës, UEFA shprehu habinë për vendimin e FIFA-s.
"Futbolli është sporti më i dashur në botë sepse luhet kudo sipas të njëjtave rregulla. Shprehim mosbesimin tonë përballë një vendimi kaq të paprecedentë, të pakuptueshëm dhe të pajustifikueshëm", përfundon deklarata.






















