Jurgen Klopp ka konfirmuar se ka zhvilluar bisedime me Federatën Gjermane të Futbollit për postin e trajnerit të kombëtares, pas largimit të Julian Nagelsmann.
Ish-trajneri i Liverpoolit, i cili aktualisht është drejtor global i futbollit te Red Bull, pranoi se është kontaktuar nga DFB-ja dhe nuk e përjashtoi mundësinë e rikthimit në stol.
“Po, mund t’i konfirmoj bisedimet. Julian dha dorëheqjen dhe DFB po punon për të gjetur pasuesin e tij. Gjatë këtyre diskutimeve ata kanë kontaktuar me mua”, deklaroi Klopp.
Tekniku gjerman theksoi se momenti nuk është ideal për të marrë drejtimin e kombëtares, pasi është ende nën kontratë me Red Bullin, por shtoi se tani ndihet shumë më i gatshëm për t’u rikthyer në trajnim.
“Kur u largova nga Liverpooli, më mungonte energjia për të vazhduar edhe një vit tjetër. Tani ndihem plotësisht i rimbushur me energji”, u shpreh ai.
Klopp nënvizoi se respekton kontratat, por la të hapur derën për një marrëveshje të mundshme me Federatën Gjermane.
“Kam një kontratë ekzistuese me Red Bullin dhe zakonisht më pëlqen t’i respektoj kontratat. Megjithatë, jam shumë i interesuar për këto diskutime. Ato duhet të jenë serioze dhe intensive, sepse problemet që kishte Gjermania nuk ishin për faj të Julian Nagelsmann”, tha ai.
Në fund, Klopp vlerësoi paraardhësin e mundshëm në stolin e Gjermanisë.
“Julian Nagelsmann është një trajner i jashtëzakonshëm dhe jam i bindur se do ta dëshmojë këtë edhe shumë herë gjatë karrierës së tij”, përfundoi Klopp.






















