
Mijëra qytetarë po protestojnë për më shumë se një orë para Kryeministrisë në Tiranë, në protestën e 35-të ku u kërkua dorëheqja e kryeministrit Edi Rama. Në shesh u panë pankarta dhe banderola të shumta me mbishkrime si “Jepe dorëheqjen”, ndërsa protestuesit shpalosën edhe forma simbolike dhe ironike të reagimit ndaj qeverisë.
Mes tyre spikatën dy torta të vendosura nga protestuesit. Njëra mbante mbishkrimin “Populli të uron! Jepe dorëheqjen. Merr edhe Saliun me vete”, ndërsa tjetra, e realizuar prej betoni, shoqërohej me mesazhin “Shumë burg për ty”.


Organizatorët i dhanë hapësirë të veçantë diasporës shqiptare, e cila ishte bashkuar në protestë nga vende të ndryshme të botës. Nga podiumi para Kryeministrisë foli edhe një qytetare e ardhur nga Kanadaja, e cila kujtoi vuajtjet e shqiptarëve në emigracion dhe rrëfeu historinë personale të largimit nga Shqipëria, jetesës jashtë vendit dhe humbjes së nënës së saj, për të cilën tha se nuk arriti t’i shihte as trupin për herë të fundit.
Një emigrant shqiptar nga Mynihu deklaroi se sipas tij kishte pasur përpjekje për intimidim ndaj pjesëmarrësve në protestë. Ai tha se qytetarët janë përballur me tentativa për t’u penguar të marrin pjesë në tubim, por shtoi se protestuesit do të vijojnë mobilizimin deri në plotësimin e kërkesës për dorëheqje.
Gjatë protestës, mbi godinën e Piramidës u shpalos një flamur gjigant kuqezi, i shoqëruar me brohoritje si “Revolucion”, “Dorëheqje”, “Lironi çunat” dhe “Shqipëri e re”.
Në shesh u panë gjithashtu edhe flamuj amerikanë, në kuadër të 250-vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara. Ndërkohë, flamingot rozë, të kthyer tashmë në simbol të kësaj lëvizjeje proteste, ishin të pranishme përgjatë gjithë tubimit.
Një nga organizatorët e protestës deklaroi se kishin informacione për persona që, sipas tij, po vinin nga rrethet për të shkaktuar trazira, ndërsa theksoi se protestuesit distancohen nga çdo akt dhune ndaj institucioneve dhe punonjësve të policisë.






















