Kolumbia ka prerë biletën për në çerekfinalet e Kupës së Botës 2026, pasi mposhti Ganën me rezultatin minimal 1-0 në një ndeshje të luftuar deri në fund.
Goli i vetëm i takimit u shënua në minutën e 14-të, kur Jhon Arias shfrytëzoi një krosim të saktë të Luis Suárez dhe e dërgoi topin në rrjetë, duke i dhënë epërsinë kolumbianëve.
Gana iu afrua golit që në minutat e para me Thomas Partey, por goditja e tij nga distanca kaloi pranë shtyllës. Më pas, Kolumbia mori kontrollin e lojës dhe krijoi disa raste të mira me Luis Diaz, Luis Suarez dhe Johan Mojica, por portieri Lawrence Ati Zigi mbajti në lojë skuadrën afrikane me disa pritje vendimtare.
Në pjesën e dytë, Kolumbia mendoi se kishte dyfishuar rezultatin në minutën e 56-të, kur Luis Diaz shënoi pas një asistimi të Jefferson Lermës. Megjithatë, pas rishikimit me VAR, goli u anulua për pozicion jashtë loje.
Luis Diaz vazhdoi të ishte lojtari më i rrezikshëm i Kolumbisë, por u ndal sërish nga Ati Zigi. Në minutat e fundit, Richard Rios dhe Juan Quintero iu afruan golit të dytë, por pa sukses.
Nga ana tjetër, Gana u përpoq të reagojë, por nuk arriti të krijojë raste të pastra shënimi. Thomas Partey provoi sërish nga distanca në minutën e 69-të, por tentativa e tij nuk gjeti kuadratin.
Kolumbia administroi me qetësi avantazhin deri në fund dhe siguroi një fitore të rëndësishme 1-0, duke vazhduar rrugëtimin në fazën eliminatore të Kupës së Botës.






















