
Një tjetër zhvillim ka shoqëruar përplasjen ligjore për administrimin e Aeroportit të Vlorës. Biznesmeni Behgjet Pacolli ka njoftuar se Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë ka vendosur heqjen e masës së sigurimit që, sipas tij, pengonte administrimin e shoqërisë VIA nga ortaku mazhoritar, MABCO.
Vendimi vjen në një kohë kur kompania MABCO ka kallëzuar në SPAK gjyqtaren Miranda Nakaj, me pretendimin se vendimet e saj kanë qenë në kundërshtim me vendimin e mëparshëm të Gjykatës së Lartë dhe kanë sjellë bllokimin e ndryshimit të administratorit të shoqërisë, si edhe pezullimin e punimeve në aeroport.
Përmes një reagimi publik, Pacolli deklaroi se Gjykata e Tiranës ka cilësuar të paligjshme masat kufizuese të vendosura më herët ndaj administrimit të shoqërisë VIA.
“Një tjetër vendim i drejtësisë u mor sot nga Gjykata e Tiranës, e cila hoqi masat kufizuese të vendosura në mënyrë të paligjshme për administrimin e shoqërisë VIA. Gjykata hoqi çdo kufizim për administrimin e shoqërisë nga ortaku mazhoritar”, u shpreh Pacolli.
Sipas tij, masa e sigurimit kishte bllokuar mbajtjen e Asamblesë së VIA-s, e planifikuar për datën 6 qershor 2026, ku do të shqyrtohej ndryshimi i administratorit të kompanisë. Pacolli pretendon se kjo situatë ka shkaktuar dëme të konsiderueshme financiare dhe ka penguar nënkontraktorët të vijojnë punimet në kantierin e Aeroportit të Vlorës.
Ai shtoi se vendimi i fundit i gjykatës i rikthen MABCO-s të drejtën për të administruar shoqërinë dhe për të ushtruar të drejtat që burojnë nga kuota e saj si ortak mazhoritar.
“Nga sot, asnjë masë apo vendim gjyqësor nuk ka më fuqi kundër shoqërisë sonë. Ne duam të angazhohemi sa më parë për të hapur aeroportin, për të mirën e Shqipërisë dhe të shqiptarëve”, deklaroi Pacolli.
Në përfundim të reagimit të tij, ai u bëri thirrje institucioneve shtetërore, përfshirë Ministrinë, Avokaturën e Shtetit dhe Policinë, të zbatojnë vendimet e gjykatave dhe të garantojnë aksesin e MABCO-s, punonjësve dhe nënkontraktorëve në kantier, me synim përfundimin sa më të shpejtë të projektit të Aeroportit të Vlorës.






















