Zjarri që përfshiu fillimisht zonën pranë ish-Azotikut, në fshatin Drizë të Fierit, është përhapur me shpejtësi drejt Qafës së Koshovicës, duke përfshirë sipërfaqe të pyllëzuara pranë fshatrave Peshtan i Madh, Peshtan i Vogël, Drizë Myrtezaj dhe Plyg.
Për shkak të përmasave të zjarrit dhe erës së fortë, Policia ka evakuuar 11 familje nga banesat e tyre, ndërsa vijon monitorimi i zonës për të parandaluar rrezikimin e banesave dhe subjekteve të tjera. Gjithashtu, është bllokuar qarkullimi i mjeteve në segmentin rrugor Qafa e Koshovicës–Cakran për të lehtësuar operacionin e emergjencës.
Në terren po punojnë forcat zjarrfikëse, helikopterët e Forcave të Armatosura, efektivët e Policisë së Shtetit dhe ekipet e urgjencës. Deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar apo të asfiksuar, ndërsa është bërë e mundur shuarja e flakëve që përfshinë një banesë, duke shkaktuar vetëm dëme të vogla materiale.
Ndërkohë, specialistët e Komisariatit të Policisë Fier kanë shoqëruar dy persona të dyshuar për shkaktimin e zjarrit dhe, në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes.






















