Sociale 3 July 2026, 21:58 Nga VNA

Protesta e 34-të para Kryeministrisë: Mbështetje nga PPE, krijohet Kuvendi Kombëtar dhe njoftohet tubimi kombëtar

Ndaje në Whatsapp

WhatsApp Image 2026-07-03 at 9.56.28 PM.jpeg

Qytetarët kanë zhvilluar protestën e 34-të radhazi kundër qeverisë, duke marshuar nga sheshi “Skënderbej” përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” për t'u ndalur përpara Kryeministrisë në Tiranë. Gjatë tubimit u lëshuan thirrjet kryesore “Rama, jepe dorëheqjen”, “Lironi çunat, lironi trimat”, “Shqipëria kërkon revolucion” dhe “Rama n’burg, Berisha n’burg”. Kjo protestë u karakterizua nga mesazhe mbështetjeje prej organizatave të të drejtave të njeriut, strukturave ndërkombëtare dhe një lëvizjeje të re drejt organizimit të brendshëm të protestuesve.

Tubimi nisi me leximin e një deklarate të Komitetit Shqiptar të Helsinkit nga aktivistja Sidorela Vatnikaj. Sipas saj, u ngritën shqetësime serioze për dhunën joproporcionale të ushtruar nga policia gjatë përplasjeve të një dite më parë përpara Parlamentit. Përmes kësaj deklarate u dënua përdorimi i gazit lotsjellës pa paralajmërim dhe shtyrja e qytetarëve, duke e cilësuar sjelljen e policisë si tejkalim të kompetencave dhe dhunë të përsëritur, e ngjashme me incidentet e mëparshme në Zvërnec. Organizata kërkoi një hetim të pavarur, përgjegjësi ligjore për efektivët e përfshirë dhe lirimin e menjëhershëm të të ndaluarve, duke theksuar se ndalimet arbitrare nuk mund të përdoren si mjet frikësimi ndaj një të drejte kushtetuese siç është tubimi.

Më tej, aktivistja denoncoi kontrollet e imtësishme që po u bëhen në kufi emigrantëve të diasporës që po vijnë në Tiranë për t'u bërë pjesë e tubimeve. Ajo e quajti këtë një formë represioni dhe i bëri thirrje Policisë së Shtetit që në protestën e ardhshme të distancohet nga dhuna, të mos lejojë personat e infiltruar që provokojnë tensione dhe të garantojë sigurinë e qytetarëve, ndërsa këtyre të fundit u kërkoi të ruajnë karakterin paqësor të tubimit.

Mbështetje ndaj kauzës erdhi edhe nga Partia Popullore Europiane, që është edhe grupi më i madh në Parlamentin Europian. Aktivistja Luçiana Kokaj lexoi një rezolutë PPE e cila shprehte shqetësim për kapjen e shtetit të së drejtës në Shqipëri dhe solidaritet me qytetarët që protestojnë paqësisht. PPE njohu kërkesat e protestuesve për hetimin e korrupsionit të nivelit të lartë, ndëshkimin e krimit zgjedhor dhe mbrojtjen e pronës e të trashëgimisë, duke dënuar çdo tentativë për të heshtur shoqërinë civile dhe gazetarët.

Në mënyrë të ngjashme, shoqatat e bashkësisë shqiptare në Britaninë e Madhe dërguan një letër publike të lexuar nga aktivistja Arvina Lleshi. Ata dënuan represionin dhe dhunën ndaj prindërve, të rinjve dhe akademikëve që kanë dalë në rrugë për të mbrojtur hapësirat publike, duke i bërë thirrje qeverisë që t'i marrë me seriozitet këto demonstrata si një shprehje e pastër e demokracisë.

Ndërsa në shesh vijonte protesta, një pjesë e organizatorëve hodhën hapat e parë për strukturimin e lëvizjes. Aktivisti Klajdi Bello njoftoi se Grupi Nismëtar për organizimin e Kuvendit Kombëtar të Protestës zhvilloi një mbledhje pesëorëshe ku miratoi në mënyrë unanime platformën dhe kriteret e anëtarësimit. Bello sqaroi se procesi zgjati më shumë se një muaj për shkak të pengesave të ndryshme dhe se emrat e kontribuesve po mbahen të fshehtë për t'i mbrojtur nga hakmarrjet. Ai siguroi se ky kuvend do të mblidhet për të ofruar përfaqësimen e nevojshme për protestuesit, duke rikonfirmuar se kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit mbetet e panegociueshme.

Gjatë fjalimeve pati edhe reagime nga bota akademike. Një pedagog denoncoi planet e qeverisë për një ligj të ri në arsimin e lartë që parashikon zgjatjen e mandateve të rektorëve nga dy në tri, duke i cilësuar ata si vasalë të ekzekutivit dhe premtoi se stafet mësimore nuk do ta lejojnë këtë ndryshim. Ai solli edhe një rast personal korrupsioni, ku sipas tij një të afërmi i ishin kërkuar 20 mijë euro për regjistrimin e pronës në Kadastër. Sipas pedagogut, kryeministri ka si opsion dorëheqjen ose përballjen me drejtësinë nga SPAK-u.

Protesta u mbyll me një marshim të qytetarëve drejt komisariatit numër 3 në Tiranë, ku po mbahen të shoqëruarit e tubimit të djeshëm. Organizatorët e mbyllën aktivitetin duke njoftuar se të shtunën do të mbahet një protestë kombëtare, ku pritet të zbarkojnë qytetarë nga rrethet dhe një numër i madh emigrantësh.

Video

Në Sheshin “Skënderbej” ka nisur grumbullimi i qytetarëve për protestën e 35-të radhazi kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. Protesta e sotme është mbarëkombëtare me pjesëmarrjen e diasporës, e cila i është bashkuar tubimit në kryeqytet për herë të dytë për të kërkuar dorëheqjen e Ramës.

Kur të bie llotaria e shtrohesh në spital ditën që Evis Sala do bëjë video për rrjetet sociale

Protesta e 35 kombëtare, Diaspora vjen në Shqipëri

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme