
Temperaturat ekstreme kanë ndikuar në festimet e Ditës së Pavarësisë në Shtetet e Bashkuara, duke detyruar autoritetet të anulojnë ose të ndërpresin një sërë aktivitetesh publike në disa shtete për shkak të rrezikut për shëndetin e qytetarëve.
Edhe në Washington DC, ku po zhvilloheshin aktivitetet për shënimin e 250-vjetorit të Pavarësisë së SHBA-së, një panair i madh u mbyll përkohësisht pasi disa pjesëmarrës shfaqën probleme shëndetësore si pasojë e të nxehtit ekstrem. Sipas mediave amerikane, disa persona u transportuan me autoambulancë për trajtim mjekësor.
Shërbimi Kombëtar i Motit bëri të ditur se mbi 165 milionë banorë janë përballur me temperatura shumë të larta në rajonet e Bregut Lindor dhe Midëest-it, ndërsa në disa zona janë regjistruar vlera pranë rekordeve historike. Kushtet u cilësuan të rrezikshme, veçanërisht për aktivitetet në ambiente të hapura.
Si pasojë, një numër paradash dhe aktivitetesh festive janë anuluar në shtete si Pennsylvania, New Jersey, Maryland dhe Colorado. Ndër ngjarjet më të prekura ishte edhe parada tradicionale në Philadelphia, një nga aktivitetet kryesore të festimeve të 4 Korrikut.
Autoritetet në Washington DC dhe qytete të tjera kanë lëshuar paralajmërime për rrezik të lartë nga temperaturat ekstreme, duke u bërë thirrje qytetarëve të shmangin ekspozimin e zgjatur në diell, të konsumojnë lëngje dhe të kufizojnë aktivitetin fizik gjatë orëve më të nxehta të ditës.
Për arsye sigurie, disa aktivitete zyrtare janë shtyrë ose janë zhvilluar me orare të ndryshuara. Meteorologët paralajmërojnë se vala e të nxehtit pritet të vijojë edhe në ditët në vijim, ndërsa në disa rajone mbetet edhe rreziku i stuhive të forta.






















