
Sot, në orën 19:00, pritet të mbahet protesta e 35-të masive, ku qytetarët do të kërkojnë largimin e qeverisë dhe dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit Edi Rama.
Protesta është paralajmëruar si mbarëkombëtare, ndërsa një numër i madh pjesëtarësh të diasporës pritet të mbërrijnë në Tiranë për t’iu bashkuar revoltës që vijon prej 35 ditësh. Sipas raportimeve, autokolonat janë nisur që prej ditës së djeshme, ndërkohë që policia ka bërë të ditur se çdo shtetas shqiptar që hyn në territor gjatë këtyre ditëve do t’i nënshtrohet kontrolleve të imtësishme. Ky veprim është interpretuar nga organizatorët si një përpjekje për të penguar pjesëmarrjen e diasporës në protestë.
Tubimi i protestuesve do të nisë në sheshin “Skënderbej”, për të vijuar më pas me marshimin drejt godinës së Kryeministrisë, ku do të paraqiten kërkesat e tyre.
Dorëheqja e kryeministrit Edi Rama mbetet kërkesa kryesore e protestës. Organizatorët kanë deklaruar se protestat do të vazhdojnë deri në realizimin e kësaj kërkese, duke u bërë thirrje qytetarëve të marrin pjesë masivisht.
“Ju erdhi fundi”, është mesazhi që organizatorët kanë përcjellë në thirrjen e tyre për pjesëmarrje në protestë.






















